Ushqimi në shkollat 9-vjeçare publike: Qeveria llogarit kostot, nevojiten 203 milionë euro në vit
Nëse programi “Pas Shkolle”, i cili synon zgjatjen e kohës së qëndrimit të nxënësve në shkollat publike dhe ofrimin e ushqimit, do të zbatohet për të gjithë sistemin 9-vjeçar në Shqipëri, sipas llogaritjeve të Ministrisë së Arsimit, do të nevojitet një kosto financiare prej 19.4 miliardë lekësh ose rreth 203 milionë euro në vit.
Në rast se programi do të zbatohet plotësisht, Ministria e Arsimit llogarit ofrimin e ushqimit për 222 mijë nxënës, me një kosto ditore prej 500 lekë për 175 ditë mësimore në vit. Megjithatë, Ministria e Arsimit ka marrë në konsideratë edhe skenarë me kosto më të ulët, nëse ushqimi do të ofrohet për 10%, 20% (skenari bazë) ose 30% deri në 50% të nxënësve që aktualisht frekuentojnë arsimin publik.
Këto llogaritje, si dhe skenarë të tjerë të kostove për ofrimin e ushqimit për 10% deri në 50% të nxënësve, janë bërë publike në projektvendimin “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 666, datë 10.10.2019, të Këshillit të Ministrave”.
Projektvendimi i hartuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit propozon që përgjegjësia për ofrimin e këtij shërbimi t’u kalojë njësive të vetëqeverisjes vendore, të cilat nëse kanë mundësi financiare, mund të ofrojnë shërbimin e ushqimit në institucionet e arsimit bazë brenda territorit që ato mbulojnë.
Në këtë kuadër, propozohet që shërbimi të ofrohet nga njësitë e vetëqeverisjes vendore me miratimin e ministrisë përgjegjëse për arsimin. Ky vendim garanton koordinimin ndërmjet pushtetit vendor dhe atij qendror, ndërkohë që ofrimi i shërbimit do të zbatohet në mënyrë të rregullt, të kontrolluar dhe në përputhje me standardet e sigurisë ushqimore.
Kostoja për ushqimin në arsimin fillor llogaritet 110 milionë euro
Për ofrimin e këtij shërbimi në mbarë vendin, Ministria e Arsimit llogarit se për 121,500 nxënës të arsimit fillor publik nevojitet një buxhet vjetor prej 10.6 miliardë lekësh ose 110 milionë euro. Ministritë llogarisin koston ditore të ushqimit për një nxënës në 500 lekë, i cili do të ofrohet për 175 ditë shkollore.
Megjithatë, kostot janë llogaritur edhe nëpërmjet disa skenarëve:
- Për 10% të nxënësve (rreth 12,154 nxënës), kostoja llogaritet rreth 1 miliardë lekë ose rreth 11 milionë euro.
- Skenari për 20% të nxënësve, i cili konsiderohet skenari bazë, ka një kosto prej rreth 2.1 miliardë lekësh.
- Skenari për 30% të nxënësve llogarit një kosto prej rreth 3.1 miliardë lekësh.
- Për 50% të nxënësve, kostoja llogaritet 5.3 miliardë lekësh.
Kostoja e ushqimit për arsimin 9-vjeçar llogaritet 92 milionë euro
Totalisht, për ofrimin e programit “Pas Shkolle” për 100,657 nxënës të arsimit 9-vjeçar publik, llogaritet një kosto financiare prej 8.8 miliardë lekësh në vit, ose rreth 92 milionë euro në vit. Edhe për këtë nivel arsimor, Ministria e Arsimit ka llogaritur disa skenarë kostoje:
- Nëse ushqimi do të ofrohet për 10% të nxënësve, llogaritet një kosto prej 880.7 milionë lekësh.
- Për 20% të nxënësve (skenari bazë për klasat 6-9), kostoja llogaritet 1.7 miliardë lekësh në vit.
- Për 50% të nxënësve, kostoja llogaritet rreth 4.4 miliardë lekësh në vit.
Çfarë synon programi “Pas Shkolle”
Programi “Pas Shkolle” synon të ofrojë mbështetje shtesë për nxënësit përmes aktiviteteve arsimore, kulturore dhe sportive pas përfundimit të orarit mësimor. Ky model rrit kohën që nxënësit kalojnë në ambientet e shkollës dhe kërkon masa mbështetëse që garantojnë mirëqenien dhe përqendrimin e tyre gjatë gjithë ditës. Në këtë kuadër, ofrimi i ushqimit në shkollë konsiderohet një element kyç për funksionimin efektiv të këtij programi.
Mbështetje për modelin e shkollës me kohë të zgjatur
Sigurimi i ushqimit në shkollë mbështet qëndrimin e zgjatur të nxënësve në institucion, duke garantuar energjinë dhe mirëqenien fizike të nevojshme për pjesëmarrje aktive në aktivitetet e programit “Pas Shkolle”.
Përmirësimi i rezultateve në të nxënë
Një ushqyerje e rregullt dhe e balancuar ndikon drejtpërdrejt në përqendrimin, memorien dhe performancën akademike të nxënësve. Integrimi i ushqimit me aktivitetet mbështetëse pas mësimit mund të rrisë efektivitetin e ndërhyrjeve arsimore dhe të përmirësojë rezultatet në të nxënë.
Promovimi i barazisë dhe përfshirjes sociale
Programi i ushqimit në shkolla ndihmon në reduktimin e pabarazive sociale, duke siguruar që të gjithë nxënësit, veçanërisht ata nga familje me më pak mundësi ekonomike, të kenë akses në një vakt të shëndetshëm gjatë qëndrimit të zgjatur në shkollë.
Rritja e pjesëmarrjes në programin “Pas Shkolle”
Ofrimi i ushqimit në shkollë rrit motivimin e nxënësve dhe besimin e prindërve për pjesëmarrjen në aktivitetet pas mësimit, duke kontribuar në rritjen e përfshirjes dhe qëndrueshmërisë së programit.
Pika “h” e pikës 1 të projektvendimit parashikon se pas pikës 22 shtohet pika 22/1, e cila përcakton se njësitë e vetëqeverisjes vendore, me fondet e tyre buxhetore ose transferta nga buxheti i shtetit, për institucionet arsimore parauniversitare publike në territorin që mbulojnë, mund të ofrojnë shërbimin e ushqimit për nxënësit, në përputhje me standardet dhe rregullat e miratuara nga autoritetet përgjegjëse për ushqimin.
