Vala e të nxehtit në Gjermani, mbi 5,000 viktima në një vit
Instituti Robert Koch ka njoftuar se mbi 5,000 vdekje janë regjistruar në Gjermani gjatë këtij viti, si pasojë e valëve të të nxehtit. Instituti thekson se vendi po kalon një “fazë tranzicioni”, me valë të nxehtit gjithnjë e më të shpeshta.
Sipas RKI-së, nga fillimi i vitit e deri më tani, 5,120 persona kanë humbur jetën në incidente të lidhura me temperaturat jashtëzakonisht të larta. Vetëm gjatë javës nga 22 deri më 28 qershor, janë shënuar 4,310 vdekje të lidhura me nxehtësinë, ndërsa javën e kaluar numri i raportuar ishte 800.
Studiuesi i RKI-së, Matthias an der Heiden, ka shpjeguar se “Gjermania është aktualisht në një fazë tranzicioni. Fakti që valët e të nxehtit ndodhin shpesh nuk është asgjë e re. As ndërtesat dhe as zakonet tona nuk janë përshtatur ende siç duhet dhe po i shohim efektet në shifrat e vdekjeve.” Ai shtoi se, megjithëse ka raste të goditjes nga nxehtësia që çojnë drejt vdekjes, në shumicën e rasteve shkaku është një kombinim i sëmundjeve ekzistuese dhe ekspozimit ndaj nxehtësisë së tepërt.
Personat mbi moshën 85 vjeç janë veçanërisht të prekshëm, sipas an der Heiden.
