Nisin Hetimet: 9 të Porsalindur Vdesin në Rrethana Misterioze në një Maternitet në Siberi
Autoritetet ruse kanë nisur një hetim penal pas vdekjes së nëntë të porsalindurve gjatë këtij muaji në një maternitet në Siberi, sipas njoftimit të zyrtarëve të hënën.
Komiteti Hetimor Shtetëror ka bërë të ditur se dyshohet për vepra penale të lidhura me neglizhencën dhe shkaktimin e vdekjes nga neglizhenca, ndonëse nuk është specifikuar ende se ndaj kujt po përqendrohen hetimet.
Sipas autoriteteve, hetuesit kanë sekuestruar dokumentacionin mjekësor në spitalin e qytetit Novokuznetsk dhe po kryejnë ekzaminime mjeko-ligjore për të përcaktuar shkaqet e sakta të vdekjeve. Stafi i spitalit është marrë në pyetje lidhur me veprimet ose mosveprimet e tyre.
Guvernatori i rajonit ka njoftuar se mjeku kryesor i spitalit është shkarkuar nga detyra, si masë paraprake pas kësaj ngjarjeje të rëndë.
Nga ana e tij, spitali ka deklaruar në faqen zyrtare të internetit se ka pezulluar përkohësisht pranimin e pacienteve për shkak të një shpërthimi të infeksioneve të frymëmarrjes dhe se po zbatohen masa karantine për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të infeksionit.
