Vdekje tragjike në Vlorë: 42-vjeçar humb jetën në fushën e futbollit

Nga jeta gjatë një ndeshjeje futbolli, detaje nga vdekja e 42-vjeçarit në Vlorë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Novoselë të Vlorës. Një 42-vjeçar ka humbur jetën në rrethana tragjike gjatë një ndeshjeje futbolli të zhvilluar në një fushë sportive të fshatit.

Viktima, i identifikuar me inicialet B.R., banonte dhe punonte në Gjermani dhe kishte ardhur në atdhe për pushime. Mbrëmjen e djeshme, ai po luante futboll me bashkëmoshatarët e tij kur, gjatë lojës, dyshohet se është goditur fort në kraharor nga topi.

Sipas informacioneve paraprake të policisë dhe dëshmive të miqve të pranishëm në vendngjarje, pas goditjes, 42-vjeçari ka humbur ndjenjat. Ai është transportuar menjëherë nga miqtë e tij drejt Spitalit Rajonal të Vlorës, por fatkeqësisht nuk ka mundur të mbijetojë.

Mjekët kanë konfirmuar se i riu ka pësuar arrest kardiak gjatë ndeshjes, i cili rezultoi fatal. Trupi i 42-vjeçarit është dërguar në Tiranë për autopsi, ndërsa rezultatet përfundimtare pritet të dalin pas rreth tre muajsh, për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.

Specialistët e shëndetësisë ngrenë shqetësimin se raste të tilla po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, veçanërisht tek individët e moshave nga 40 deri në 50 vjeç. Ata theksojnë se shumë të rinj angazhohen në aktivitete sportive intensive pa kryer kontrolle mjekësore paraprake, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e tyre, sidomos sistemin kardiovaskular, çka mund të çojë në pasoja fatale si arresti kardiak.

Scroll to Top