Futbolli italian është në zi, pasi është mësuar se është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare Xhovani Galeone, si pasojë e një sëmundjeje të rëndë.
I njohur si një nga trajnerët më të orientuar drejt futbollit sulmues, ai bëri emër sidomos në vitet ’80-’90. Galeone fitoi famë kryesisht duke ngjitur skuadra nga Seria B në Serinë A, duke arritur këtë sukses dy herë me Peskarën, si dhe një herë me Udinezen dhe Peruxhian.
Në karrierën e tij ka drejtuar edhe ekipe të tjera me emër, mes të cilave edhe Napolin, Komon dhe SPAL.
Për shumëkënd, ai ka qenë një mësues i mirëfilltë i filozofisë sulmuese në Itali, ndërsa vetë Masimiliano Alegri e cilëson atë si një nga personat nga të cilët ka marrë frymëzim.
Në karrierë, ai njihet gjithashtu për zbulimin apo zhvillimin e shumë futbollistëve të rinj. Alegri është një prej tyre, ashtu si Gaspërini, Gatuzo, apo edhe ish-trajneri i Tiranës, Blazh Sliskoviç, i cili u kthye në një legjendë në kohën e tij te Peskara, nën drejtimin e Galeones.
