Veliaj në gjyqin kundër prokurorit Ols Dado: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese evidenton mangësi serioze kushtetuese në arsyetimin e kufizimit të lirisë
Erion Veliaj, në gjyqin administrativ kundër prokurorit Ols Dado, ka paraqitur vendimin e zbardhur të Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e tij. Ai deklaroi para trupës gjykuese se Gjykata Kushtetuese ka identifikuar mangësi serioze kushtetuese në mënyrën se si është arsyetuar kufizimi i lirisë së tij.
“Dje u zbardh vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili konstatoi se Gjykata e Lartë nuk kishte arsyetuar në mënyrë kushtetuese proporcionalitetin e masës së paraburgimit në raport me mandatin tim si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, si dhe nuk kishte trajtuar në mënyrë adekuate pretendimet për cenimin e dinjitetit tim nga mbajtja në kabinën e xhamit,” tha Veliaj.
Ai shtoi se një nga gjyqtaret e Gjykatës Kushtetuese ka konkluduar se, bazuar në provat e administruara, nuk rezulton të jetë arritur as standardi kushtetues i dyshimit të arsyeshëm për kryerjen e veprës penale.
“Këto nuk janë pasoja abstrakte. Unë ndodhem prej 16 muajsh në paraburgim dhe vetë Gjykata Kushtetuese ka evidentuar mangësi serioze kushtetuese në mënyrën se si është justifikuar kufizimi i lirisë sime,” theksoi ai.
Veliaj nënvizoi rëndësinë e këtij gjykimi administrativ, duke thënë se ai shkon përtej çështjes personale apo rolit të z. Olsi Dado. “Ky nuk është një proces për emra të përveçëm. Ky është një proces për të përcaktuar nëse një person, ligjshmëria e emërimit të të cilit vihet seriozisht në diskutim, mund të ushtrojë kompetenca që ndërhyjnë deri në kufizimin e lirisë së një qytetari, në cenimin e dinjitetit të tij dhe në pamundësimin e ushtrimit të një mandati të fituar drejtpërdrejt nga vullneti demokratik i qytetarëve të Tiranës.”
Ai përfundoi duke thënë: “Në thelb, kjo çështje prek vetë besimin te shteti i së drejtës dhe te demokracia kushtetuese. Për këtë arsye, po e vë në dispozicion të Gjykatës vendimin e djeshëm të Gjykatës Kushtetuese, si një zhvillim me rëndësi të drejtë për këtë proces.”
