Veliaj në Gjykatën Kushtetuese pas arrestimit, shqyrtim shkarkimi

Veliaj arrin në Gjykatën Kushtetuese i shoqëruar nga policia

Ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, mori pjesë sot në seancën publike në Gjykatën Kushtetuese, ku u shqyrtua ankimimi i tij kundër vendimit të qeverisë për shkarkimin nga detyra. Veliaj u nis nga paraburgimi i Durrësit dhe mbërriti në Gjykatën Kushtetuese i shoqëruar nga një furgon policie.

Në raste të tilla, kur shoqërohen zyrtarë të lartë ose persona të përfshirë në çështje penale, Policia e Shtetit dhe Drejtoria e Burgjeve marrin masa shtesë sigurie.

Më 9 tetor, Gjykata Kushtetuese i dërgoi një shkresë Veliajt, si palë në proces, duke e pyetur nëse dëshironte të merrte pjesë personalisht në seancë. Më 13 tetor, gjykata njoftoi Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për datën dhe orën e seancës, si dhe për marrjen e masave të nevojshme në rast se Veliaj do të shprehte vullnetin për të qenë i pranishëm.

Erion Veliaj paraqiti ankim në Gjykatën Kushtetuese më 25 shtator, kundër vendimit të qeverisë për shkarkimin e tij, vendim ky i propozuar më parë nga Këshilli Bashkiak i Tiranës. Më 1 tetor, Presidenti Bajram Begaj dekretoi zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme për kryebashkiakun e Tiranës, por ky dekret u pezullua nga Gjykata Kushtetuese me një vendim të përkohshëm, deri në dhënien e vendimit përfundimtar mbi çështjen e shkarkimit të Veliajt.

Kjo shënon herën e parë që Veliaj largohet nga qelia e paraburgimit që nga arrestimi i tij më 10 shkurt të këtij viti. Ai u arrestua pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për masën e arrestit me burg, të kërkuar më parë nga SPAK për vepra penale korrupsioni, të kryera nëntë herë në bashkëpunim.

Scroll to Top