Erion Veliaj paraqitet sot në Gjykatën Kushtetuese për të kundërshtuar shkarkimin
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, do të jetë sot i pranishëm në seancën publike që do të zhvillohet në Gjykatën Kushtetuese. Në këtë seancë do të shqyrtohet ankimi i tij kundër vendimit të qeverisë për shkarkimin nga detyra.
Më 9 tetor, Gjykata Kushtetuese i ka dërguar një shkresë zotit Veliaj, në cilësinë e palës në proces, duke e pyetur nëse dëshironte të merrte pjesë personalisht në seancë. Më 13 tetor, gjykata ka njoftuar gjithashtu Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, duke e informuar për datën dhe orën e zhvillimit të seancës plenare publike, si dhe për marrjen e masave të nevojshme në rast se Veliaj do të shprehte vullnetin për të qenë i pranishëm.
Erion Veliaj ka paraqitur ankim në Gjykatën Kushtetuese më 25 shtator, kundër vendimit të qeverisë për shkarkimin e tij. Ky vendim ishte propozuar më parë nga Këshilli Bashkiak i Tiranës.
Më 1 tetor, Presidenti Bajram Begaj dekretoi zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme për kryebashkiakun e Tiranës. Megjithatë, ky dekret u pezullua nga Gjykata Kushtetuese me një vendim të përkohshëm, derisa të jepet vendimi përfundimtar mbi çështjen e shkarkimit të Veliajt.
Kjo do të jetë hera e parë që Veliaj lë qelinë e paraburgimit, prej arrestimit të tij më 10 shkurt të këtij viti. Ai u arrestua pasi Gjykata e Posaçme firmosi masën e arrestit me burg, të kërkuar më parë nga SPAK, për vepra penale të korrupsionit, të kryera nëntë herë në bashkëpunim.
