“Maduro dhe gruaja e tij të lirohen”, zv/presidentja e Venezuelës: Nuk do të bëhemi koloni, jemi të hapur për raporte me qeverinë Trump
Televizioni shtetëror i Venezuelës transmetoi një video-adresim nga zv/presidentja e vendit, Delcy Rodriguez. Ajo u zgjodh për të zëvendësuar Nicolas Maduro, sipas Donald Trump.
Në fjalimin e saj, Rodriguez përsëriti thirrjen për lirimin e Maduro dhe gruas së tij, duke theksuar se presidenti i arrestuar është presidenti “i vetëm” i Venezuelës.
Trump më herët kishte deklaruar se Rodriguez i kishte thënë Marco Rubios se ishte “e gatshme të bënte atë që mendojmë se është e nevojshme për ta bërë Venezuelën përsëri të madhe”, duke shtuar se SHBA-të do ta drejtonin vendin.
Megjithatë, Rodriguez sqaroi se Venezuela “nuk do të jetë kurrë koloni” e asnjë kombi. Ajo shtoi se Venezuela është e hapur për një marrëdhënie respekti me qeverinë e Trump, por vetëm brenda kornizës së ligjit ndërkombëtar dhe atij venezuelian.
Fjalimi duket se është regjistruar në Karakas. Më herët, ishte raportuar se Rodriguez mund të ndodhej në Rusi, gjë që u mohua nga mediat shtetërore ruse.
