Spanja gjen viktimën e përmbytjeve një vit pas tragjedisë
Autoritetet spanjolle njoftuan të enjten se kishin gjetur trupin e një burri 56-vjeçar, i cili u zhduk gjatë përmbytjeve në rajonin lindor të Valencias vitin e kaluar. Kjo ngjarje, një nga më vdekjeprurëset të këtij lloji në vend në dekada, ndodhi më 29 tetor 2024.
Analiza e ADN-së ka konfirmuar se kufoma e gjetur të martën në lumin Turia i përkiste njërit prej tre personave të raportuar të zhdukur që nga tragjedia, e cila vrau më shumë se 230 persona. Ky informacion u bë i ditur nga një gjykatë e Valencias në një deklaratë.
Sipas gjykatës, viktima, si edhe dy personat e tjerë të zhdukur, “ishte shpallur tashmë ligjërisht i vdekur”, duke nënkuptuar se numri i përgjithshëm i viktimave nuk është rritur.
Viktima u kishte tërhequr uji rreth 30 kilometra nga qyteti i Pedralbës, deri në komunën e Manises, pranë Valencias, qyteti i tretë më i madh i Spanjës.
Më 29 tetor, në qytet do të zhvillohet një funeral shtetëror për të shënuar përvjetorin e katastrofës. Kjo ngjarje ka ngritur pyetje serioze rreth përshtatshmërisë së sistemeve të alarmit dhe efektivitetit të reagimit ndaj emergjencave.
Aktivistë kanë protestuar çdo muaj, duke kërkuar dorëheqjen e kreut të qeverisë rajonale, Carlos Mazon, për menaxhimin e përmbytjeve. Një demonstratë e radhës është planifikuar për të shtunën.
Autoritetet rajonale këmbëngulin se nuk kishin informacionin e nevojshëm për të paralajmëruar banorët më shpejt.
