Tetë persona humbin jetën në Europë nga ortekët
Gjashtë skiatorë çekë humbën jetën nga një ortek në Austrinë qendrore, sipas policisë, duke e çuar në tetë numrin total të viktimave të raportuara të shtunën për shkak të ortekëve në Alpet austriake.
Që nga fundjava e kaluar, 17 skiatorë kanë humbur jetën në Alpet, duke përfshirë Austrinë, Francën dhe Zvicrën, pas reshjeve të dendura të dëborës.
Një ortek përfshiu tre nga shtatë anëtarët e një grupi skiatorësh çekë në rajonin Murtal të Styria, duke i varrosur plotësisht, sqaroi policia në një deklaratë. Pavarësisht përpjekjeve të shërbimeve të shpëtimit, të tre viktimat u gjetën të vdekur.
Më herët gjatë ditës, në rajonin Pongau, afër Salzburgut, një rrëshqitje dëbore fshiu shtatë skiatorë nga pista, duke vrarë katër prej tyre dhe plagosur një të pestën, raportoi rrjeti publik austriak ÖRF.
Një skiatore doli nga pista me bashkëshortin e saj dhe u varros nga dëbora kur një ortek tjetër goditi të njëjtën zonë. Edhe pse bashkëshorti ngriti alarmin, shërbimet e shpëtimit nuk ishin në gjendje ta rikthenin atë në jetë.
“Pavarësisht paralajmërimeve të qarta dhe të përsëritura, sot patëm shumë ortekë me pasoja fatale”, tha Gerhard Kremzer, kreu i shërbimeve të urgjencës në malin Pongau.
Të martën, një fëmijë 13-vjeçar, gjithashtu nga Republika Çeke, humbi jetën nga një ortek në Bad Gastein, në Alpet austriake, ndërsa ishte jashtë pistës me një tjetër fëmijë në vendpushimin e skive Sportgastein.
Të dielën e kaluar, një skiator 58-vjeçar u vra nga një rrëshqitje dëbore në Weerberg, Tirol.
Po atë fundjavë, gjashtë persona vdiqën nga ortekë në vendpushimet e skive në Alpet Franceze.
Ndërkohë, në pjesën zvicerane të Alpeve, një skiator gjerman u vra nga një ortek dhe katër persona të tjerë u plagosën.
