Serbët dënojnë vizitën e president Begaj në Preshevë e Bujanovc: A është Serbia shtet sovran apo jo?
Publikuar më 10.07.2026 nga shekulli_admin
Vizita e presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, në Bujanovc dhe Preshevë, ka nxitur reagime të shumta në skenën politike serbe. Përfaqësues të opozitës, por edhe subjekte të tjera, kanë kritikuar mënyrën e organizimit të vizitës dhe qëndrimin e heshtur të autoriteteve shtetërore të Beogradit lidhur me këtë ngjarje.
Kryetari i Lëvizjes Popullore të Serbisë (NPS), Miroslav Aleksiq, duke folur në Kuvendin e Serbisë, tha se nuk ka asgjë kundër vizitave të liderëve të huaj te pakicat kombëtare, por akuzoi pushtetin se ka dështuar në garantimin e sovranitetit të Serbisë.
“A është Serbia shtet sovran apo jo?”, pyeti ai, duke kritikuar gjithashtu faktin se, sipas tij, Begaj nuk vizitoi Beogradin, siç kishte bërë më parë kryeministri Edi Rama. “Ajo që po bëni është një rrezik i madh, sepse tregoni se Serbia nuk mund të mbrojë as minimumin e sovranitetit që ka”, raporton Danas.
Aleksiq kritikoi edhe mediet, të cilat sipas tij, janë pro-regjimit në Serbi, duke theksuar se nuk kanë thënë asnjë fjalë për këtë vizitë.
Deputeti i po kësaj partie, Aleksandar Ivanoviq, kërkoi sqarime për mënyrën e sigurimit të presidentit shqiptar gjatë vizitës në Bujanoc. Ai tregoi një fotografi gjatë pritjes së Begajt, ku, sipas tij, u panë njerëz të dyshimtë.
“Në këto fotografi nuk ka polici tonë, në ndërtesën e komunës është vendosur flamuri shqiptar dhe kjo është një çështje shumë serioze”, deklaroi ai. “Nëse kishte nevojë për sigurim të armatosur, atëherë duhet të ishin policët tanë, nga njësitë tona”.
Kryetari i Partisë së Re Demokratike të Serbisë (DSS), Millosh Jovanoviq, e interpretoi vizitën e Begajt si pjesë të aspiratave kombëtare shqiptare. “Kjo tregon se shqiptarët nuk heqin dorë nga ideja e të ashtuquajturës Shqipëri natyrale”, tha ai, duke shtuar se “pas Kosovës vjen ajo që ata e quajnë ‘Kosova Lindore’, e më pas do të vijnë në rend dite edhe rajoni i Rashkës dhe Vojvodina”.
Pa reaguar nuk mbeti as Lidhja Monarkiste – Lëvizja për Mbretërinë e Serbisë, e cila akuzoi autoritetet shtetërore për dështim në mbrojtjen e sovranitetit. Bashkëkryetari i saj, Nenad Tomasheviq, e cilësoi vizitën “një turp të paprecedentë për Serbinë”, duke shtuar se “Serbisë i duhet një pushtet që do të mbrojë me përpikëri sovranitetin, dinjitetin kombëtar dhe interesat shtetërore”.
Begaj ka qëndruar për vizitë në Preshevë e Bujanoc të mërkurën. “I inkurajova liderët politikë të kësaj treve të bashkohen sa herë bëhet fjalë për interesin kombëtar, për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, ka thënë ai në një postim në Facebook lidhur me këtë vizitë, transmeton KosovaPress.
“Si President i Republikës së Shqipërisë, u garantova mbështetjen e Shqipërisë për adresimin e çështjes së Luginës së Preshevës, përfaqësimin e drejtë në institucione, shqetësimin për pasivizimin e adresave, si dhe të drejtën e përdorimit të gjuhës amtare dhe të simboleve kombëtare”.
