Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas vizitës së Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në Tiranë, e cila është pjesë e turit të saj në vendet e Ballkanit Perëndimor. Berisha e cilësoi vizitën si të rëndësishme dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen e Bashkimit Europian ndaj Shqipërisë.
Megjithatë, Berisha shfaqi kritika ndaj qeverisë, duke theksuar se Shqipëria aktualisht nuk plotëson asnjë kriter tjetër për integrimin në BE, përveç atij gjeostrategjik dhe politikës së jashtme.
“Shqipëria aktualisht, përveç kriterit gjeostrategjik dhe politikës së jashtme nuk plotëson asnjë kriter tjetër për integrimin e saj në BE. Në qoftë se i referohemi popullit shqiptar, shtoj këtu se në këto vite, shqiptarët kanë ikur nga vendi i tyre më shumë se në çdo kohë lufte, fatkeqësisht natyrore apo shkaqe të tjera,” tha Berisha në një konferencë për shtyp.
Duke shfrytëzuar rastin e vizitës së zonjës von der Leyen në Tiranë, Berisha uroi mirëseardhjen dhe sukses në turin e saj. Ai gjithashtu shprehu mirënjohjen e thellë për taksapaguesit europianë, Komisionin Europian dhe qeveritë e BE për ndihmën e tyre ndaj Shqipërisë. Berisha falënderoi gjithashtu për anëtarësimin e Shqipërisë në SEPA, duke e cilësuar si një lehtësim të madh për qytetarët shqiptarë dhe mikrotransaksionet e tyre me Europën dhe botën.