Dy shtetas kinezë planifikuan vjedhjen e 5 miliardë lekëve nga bankat në Shqipëri, gjendet lista me 5,000 shtetas shqiptarë
Drejtoria e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit ka zbardhur detaje të operacionit të zhvilluar pak ditë më parë, ku u parandalua një skemë mashtruese. Kjo skemë synonte vjedhjen e të dhënave personale të mbi 5,000 qytetarëve shqiptarë dhe rreth 5 miliardë lekësh (50 milionë euro) nga llogaritë bankare.
Në qendër të hetimeve janë dy shtetas kinezë: Cunfeng Fan, 51 vjeç dhe Haike Yan, 45 vjeç. Ata kishin ardhur në Tiranë për të vijuar aktivitetin kriminal dhe ishin akomoduar në një hotel pranë qendrës së kryeqytetit. Atje, policia gjeti dhe sekuestroi 17 telefona, 1 laptop, 12 pasaporta, 11 karta bankare, 7 karta identiteti dhe 1 patentë, të cilat dyshohet se u përdorën për ngritjen e skemës mashtruese.
Sipas burimeve zyrtare, dy shtetasit kinezë kishin ngritur një infrastrukturë të sofistikuar. Ata dërgonin linke që imitonin faqen e Postës Shqiptare. Pasi qytetarët klikonin linkun, ata fitonin akses tek të dhënat personale dhe më pas tek llogaritë bankare. Shuma e parave e planifikuar për t’u përfituar jashtë vendit llogaritej rreth 50 milionë euro.
Drejtoria e Krimit Kibernetik ra në gjurmët e dy të arrestuarve falë monitorimit të vazhdueshëm të “dark web”-it dhe burimeve të hapura në internet. Hetimi u zhvillua me metoda speciale dhe përfundoi me sukses, duke parandaluar dëmin e konsiderueshëm financiar dhe shkeljen e privatësisë së qytetarëve.
Pas ngritjes së sistemit mashtrues, të dy të dyshuarit kishin planifikuar të largoheshin nga Shqipëria, ndërsa tërheqjet e parave do të kryheshin nga jashtë vendit. Krimi Kibernetik arriti në gjurmët e tyre përmes monitorimit të vazhdueshëm të “dark web” dhe burimeve të hapura në internet, ku u identifikuan llogaritë dhe veprimtaritë e dyshimta të grupit.
Pas verifikimeve, u ngrit një procedim penal me metoda speciale hetimi, i cili çoi në arrestimin e dy shtetasve kinezë dhe sekuestrimin e pajisjeve që përdoreshin për aktivitetin kriminal. Hetimet janë ende në vijim, ndërsa nuk përjashtohet përfshirja e personave të tjerë në këtë rrjet ndërkombëtar mashtrimi online.
