Vjedhje në Muzeun e Luvrit: Bizhuteri me vlerë 88 milionë euro të humbura, policia arreston dy persona të tjerë të dyshuar
Dy persona të tjerë janë akuzuar në lidhje me vjedhjen e ndodhur muajin e kaluar në Muzeun e Luvrit, njoftoi zyra e prokurorit të Parisit.
Një grua 38-vjeçare është akuzuar për bashkëpunim në vjedhje të organizuar dhe konspiracion kriminal për kryerjen e një krimi. Ndërkohë, një burrë 37-vjeçar është akuzuar për vjedhje dhe konspiracion kriminal. Të dy kanë mohuar çdo përfshirje.
Dy burra, të cilët ishin arrestuar më parë, janë akuzuar gjithashtu për vjedhje dhe komplot kriminal. Zyrtarët thanë se ata “pranuan pjesërisht” përfshirjen e tyre në grabitje.
Bizhuteri me vlerë 88 milionë euro (76 milionë paund; 102 milionë dollarë) u vodhën nga muzeu më i vizituar në botë më 19 tetor. Katër persona kryen vjedhjen me shpejtësi të jashtëzakonshme gjatë ditës.
Të shtunën, gruaja ndaj së cilës është ngritur akuza qau para gjyqtarit dhe konfirmoi se jetonte në periferinë veriore të Parisit, La Courneuve, raportoi një gazetar i agjencisë AFP.
Magjistrati vendosi që gruaja, emri i së cilës nuk është bërë i ditur, duhet të qëndrojë në paraburgim. Edhe burri 37-vjeçar, identiteti i të cilit gjithashtu nuk është zbuluar, u urdhërua të qëndrojë në paraburgim. Ai është i njohur për sistemin francez të drejtësisë për shkak të grabitjeve të mëparshme.
Në sistemin gjyqësor francez, një person “i vënë nën hetim” zakonisht nuk përfundon para gjyqit, por jo domosdoshmërisht. Një magjistrat hetues udhëheq hetimin ndaj personit, duke shqyrtuar prova që mund ta shfajësojnë ose ta inkriminojnë.
Ndërkohë, i dyshuari mund të mbahet në paraburgim nëse gjyqtari beson se ai përbën një rrezik për publikun, rrezik arratisjeje, ose mund të bashkëpunojë me të tjerë për të penguar mbledhjen e provave. Ky argument i fundit u përdor për të justifikuar vazhdimin e paraburgimit të gruas 38-vjeçare.
Roli i saktë i të dyshuarit 37-vjeçar nuk është i qartë. Megjithatë, kur të pestë u arrestuan të mërkurën, zyra e prokurorit tha se njëri prej tyre ishte lidhur me vendin e krimit nëpërmjet ADN-së. Ndoshta, ai dyshohet të jetë një nga dy burrat që qëndruan në rrugë gjatë grabitjes.
Personi i katërt i përfshirë në vendngjarje nuk është kapur ende. Tre persona të tjerë të ndaluar më parë këtë javë janë liruar pa akuza.
