VNM projekte energji Shqipëri: Raport kritikon ecurinë e dobët

Raporti: Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis për Projektet e Energjisë Mbetet i Dobët

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë thekson se Shqipëria duhet të përmirësojë kuadrin ligjor për vlerësimin e ndikimit në mjedis (VNM) të projekteve të energjisë, si dhe të forcojë kapacitetet njerëzore, duke përfshirë edhe kriteret për certifikimin e ekspertëve.

Raporti vjetor, i cili analizoi ecurinë e përafrimit ligjor në disa fusha, vë në dukje se, megjithëse janë bërë disa hapa, avancimi ka qenë i ngadaltë. Raporti thekson:

  • Shqipëria ka filluar hartimin e rregullave dhe procedurave për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (VNM) në një kontekst ndërkufitar, siç kërkohet nga neni 7 i Direktivës së VNM-së.
  • Është raportuar progres në krijimin e një skeme certifikimi për ekspertët e VNM-së. Megjithatë, kjo skemë mbetet e vonuar dhe e papërfunduar.
  • Kriteret për certifikimin e ekspertëve të VNM-së, ekspertizën mjedisore dhe auditimin mjedisor nuk janë ende plotësisht të përcaktuara, duke dobësuar kështu kuadrin institucional të nevojshëm për zbatimin efektiv të Direktivës së VNM-së.

Raporti parashtron gjithashtu se nuk janë ndërmarrë hapa të mëtejshëm për të adresuar mangësitë e evidentuara në raportet e mëparshme të Sekretariatit. Si pasojë, Shqipëria vazhdon të jetë në mospërputhje me nenet 8 dhe 8a të Direktivës së VNM-së.

Ligji aktual për VNM-në konsiderohet i pamjaftueshëm, pasi nuk kërkon që vendimet për dhënien e lejes së zhvillimit të përfshijnë përfundimin e arsyetuar të VNM-së, kushtet mjedisore, masat zbutëse dhe detyrimet për monitorim. Për më tepër, kriteret e përzgjedhjes (screening) nuk janë në përputhje me Aneksin III të Direktivës së VNM-së.

Raporti shprehet se Shqipëria ka raportuar se VNM-ja është e integruar në sistemin “one-stop-shop” për dhënien e lejeve të ndërtimit. Megjithatë, kapacitetet institucionale për kryerjen e VNM-ve mbeten të kufizuara dhe të pamjaftueshme për të siguruar një proces të harmonizuar për VNM-në dhe vlerësimet e tjera të lidhura (si vlerësimi i biodiversitetit/vlerësimi i përshtatshëm dhe vlerësimi i ndikimit në ujëra).

Gjatë periudhës raportuese, Shqipëria ka raportuar mbi 50 VNM për projekte energjetike, kryesisht për projekte fotovoltaike dhe hidroenergjetike, si dhe një park të madh eolik me kapacitet 120 MW. Sekretariati ka marrë një ankesë lidhur me procedurën e VNM-së për termocentralin me kapacitet 170 MW në Roskovec. Shqetësimet vazhdojnë të ekzistojnë për projektet hidroenergjetike në lumenjtë Vjosë dhe Valbonë, si dhe për projektin e Skavicës.

Sekretariati nënvizon se Direktiva për Vlerësimin Strategjik Mjedisor (VSM/SEA) është transpozuar kryesisht në legjislacionin kombëtar, por zbatimi i saj mbetet i pamjaftueshëm. Rishikimi i planifikuar i Planit Kombëtar të Energjisë dhe Klimës (NEKP/NECP), i cili duhet të përfshijë një raport të përditësuar të VSM-së për të siguruar integrimin e plotë të konsideratave mjedisore, ishte parashikuar për këtë periudhë raportimi, por është shtyrë sërish, pa një udhërrëfyes të qartë se kur do të realizohet ky rishikim.

Scroll to Top