Volejbollistja Nayara Ferreira: “E shkatërruar” nga testimi i gjinisë

Nayara Ferreira, “e shkatërruar”: Kështu nuk më trajtuan as në Arabi

Rasti i pezullimit të volejbollistes së Dinamos, Nayara Ferreira, është trajtuar edhe nga “Deutsche Welle” (DW). Lojtarja braziliane ka folur për DW, ku deklaron se ndihet e tronditur dhe e shkatërruar.

Nayara Ferreira shprehet se vendimi i Federatës Shqiptare të Volejbollit (FSHV) për t’i bërë testin e gjinisë dhe për ta pezulluar nga loja e ka tronditur shumë. “Ndjej sikur jam shkatërruar, sikur po humbas mendjen, sepse mendoj shumë për këtë dhe pse ma bënë këtë. Çdo ditë në dhomën time e pyes veten dhe deri tani nuk e di përgjigjen. Nuk e kuptoj pse jam në këtë situatë.”

“Më kërkuan të bëja një test gjinie. Kam luajtur në shtatë vende, përfshirë edhe Arabinë Saudite. Kurrë më parë nuk më është bërë një pyetje e tillë,” thotë Ferreira, e cila u pezullua në tetor nga FSHV pasi dy ekipe rivale paraqitën dokumente dhe kërkuan një rishikim të rastit.

Në njërën nga kërkesat e FSHV-së thuhet se “analizat përkatëse do të kryhen për të verifikuar performancën fizike natyrore dhe për të përcaktuar gjininë e lojtares së ekipit Dinamo, Estephanie Goulart Ferreira Nayara”.

Klubi i saj, Dinamo, e ka quajtur vendimin absurd dhe një fyerje për një lojtare veterane me karrierë të spikatur. Braziliania ka qenë e pezulluar për tri javë, duke humbur tri ndeshje, dhe thotë se është përballur me heshtje totale gjatë gjithë kësaj kohe.

“Nuk kam fjalë ta përshkruaj saktësisht se si ndihem,” shtoi ajo. “Pse po ma bëni këtë [FSHV]? Vetëm sepse shikoni fytyrën time, vetëm sepse shikoni flokët e mi?”, vijon volejbollistja 32-vjeçare.

Mbështetja nga ekipi

Ferreira konfirmoi se e bëri testin me dëshirë, por vetëm për të ndihmuar klubin: “Nuk kam nevojë t’i dëshmoj askujt që jam grua, sepse jam grua. Kjo është 100%.”

Kapitenia e ekipit Dinamo, Elena Bego, tha se situata ka qenë shumë e vështirë për ekipin. “Ishte pjesërisht detyra ime t’ua komunikoja lajmin vajzave të tjera. Të gjitha mbetëm të tronditura, ky rast është tepër skandaloz. Ne e kemi mbështetur Nayaran gjatë gjithë kohës, sepse e dimë që ajo është grua.”

Trajneri i Dinamos, Orlando Koja, shtoi se mungesa e Nayaras kishte pasur edhe ndikim të madh sportiv, pasi ekipi mbeti i mangët në ndeshje të rëndësishme pa një lojtare kyçe.

Për Ferreiran, kjo situatë ka pasur ndikim personal, por ajo mendon se është edhe diçka më e madhe se rasti i saj individual. “Mendoj se pas kësaj situate duhet të reflektojmë se çfarë do të thotë respekti. Sepse me gjëra të tilla ata i shkatërrojnë gratë në sport.”

Çështja e identitetit gjinor në sportin e femrave është bërë një temë gjithnjë e më e ndjeshme vitet e fundit, veçanërisht pas polemikave globale rreth Imane Khelif, boksieres algjeriane që fitoi medalje të artë në Lojërat Olimpike të Parisit verën e kaluar. Këtë vit, Federata Botërore e Atletikës vendosi gjithashtu që testet e gjinisë të jenë të detyrueshme për të gjitha gratë që konkurrojnë.

Scroll to Top