Vonohet hyrja në fuqi e ligjit për rivlerësimin e pronave
“Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme të Shqipërisë” (NAREA) ka shprehur sot shqetësimin e saj lidhur me vonesën në dekretimin e ligjit “Për Rivlerësimin e Pasurisë së Paluajtshme”.
Në një kërkesë drejtuar Presidentit të Republikës, NAREA thekson se po ndjek me shqetësim zgjatjen e paarsyeshme të procesit të dekretimit të Ligjit Nr. 85/2025 dhe, si pasojë, shtyrjen e botimit të tij në Fletoren Zyrtare. Kjo sjell vonesë në hyrjen në fuqi të tij përtej datës 1 Janar 2026 dhe pengon procesin e prodhimit të akteve nënligjore.
NAREA sqaron se, edhe pse ka shprehur më parë rezerva për masën e Tatimit prej 5% për banesat dhe ka ngritur pikëpyetje mbi zbatueshmërinë e amortizimit prej 1% në vit për vjetërsinë, beson fuqishëm se një vonesë e mëtejshme në dekretimin e këtij ligji do të ketë efekte shumë më negative. Kjo mund të shtojë stresin në treg, përtej presioneve inflacioniste që janë të pranishme prej 18 muajsh.
“NAREA bën thirrje që Ligji Nr. 85/2025 datë 12.12.2025 “Për Rivlerësimin e Pasurisë së Paluajtshme” të dekretohet sa më parë, për të përshpejtuar botimin në Fletoren Zyrtare dhe, rrjedhimisht, hyrjen në fuqi, si dhe nxjerrjen e akteve nënligjore,” thuhet në kërkesën e tyre.
Njëkohësisht, NAREA kërkon angazhimin dhe bashkëpunimin e të gjitha institucioneve, duke filluar nga Qendra e Botimeve Zyrtare, Ministria e Financave dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, për nxjerrjen sa më të shpejtë të akteve nënligjore dhe udhëzimit të përbashkët për zbatimin e Ligjit Nr. 85/2025.
Ligji “Për Rivlerësimin e Pasurisë së Paluajtshme” parashikon që të gjithë individët dhe bizneset pronarë të pasurive të paluajtshme kanë të drejtë të rivlerësojnë pasurinë e tyre në vlerën e tregut, nga data 1 Janar 2026 deri më 31 dhjetor 2026.
Tatimi për regjistrimin e këtij rivlerësimi do të jetë 5% e bazës së tatueshme, e cila përfaqëson diferencën midis vlerës së mëparshme të pronës dhe vlerës së re të saj pas rivlerësimit.
Rivlerësimi mund të kryhet nga një ekspert i licencuar i pasurive të paluajtshme ose nga zyrat vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK).
Në rast se rivlerësimi bëhet nga një ekspert i licencuar, aplikimit të tij i bashkëlidhet akti i vlerësimit të ekspertit.
Zyrat vendore të ASHK-së do të përllogaritin bazën e tatueshme, e cila nxirret nga diferenca midis vlerës së pasqyruar në aktin e ekspertimit (e cila nuk mund të jetë më e ulët se çmimet minimale fiskale në fuqi) dhe vlerës së regjistruar të pasurisë ose vlerës së rivlerësuar sipas ligjeve të mëparshme, për të cilin është paguar tatimi.
Çmimi minimal fiskal do të llogaritet sipas dispozitave të Udhëzimit të Përbashkët të ministrisë përgjegjëse për financat dhe ASHK-së, nr. 34, datë 29.12.2023.
ASHK gjithashtu do të llogarisë vlerën e tatimit që duhet të paguajë individi për regjistrimin e këtij rivlerësimi.
Nëse individi zgjedh që rivlerësimi të kryhet nga ASHK me çmimet minimale fiskale, kjo duhet të shprehet në formularin e aplikimit.
Ministri përgjegjës për Financat dhe drejtori i përgjithshëm i ASHK-së duhet të nxjerrin një udhëzim të përbashkët për procedurat e zbatimit të ligjit, duke përfshirë llogaritjen e bazës së tatueshme, paraqitjen dhe administrimin e kërkesave, pagesën e tatimit, pasqyrimin e rivlerësimit në regjistrat e pasurive të paluajtshme, derdhjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit, si dhe përcaktimin e tarifës për shërbimet e ASHK-së, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit.
Megjithatë, vonesat në hyrjen në fuqi të ligjit pritet të sjellin vonesa edhe në përgatitjen dhe hyrjen në fuqi të akteve nënligjore, si dhe në nisjen e procesit të rivlerësimit.
