Holandë tronditet nga vrasja e një 18-vjeçareje: Motra u mbyt në kënetë nga dy vëllezërit e saj për shkak të një të dashuri
Dy vëllezër sirianë janë akuzuar për mbytjen e motrës së tyre 18-vjeçare në një kënetë në Holandë. Ngjarja e rëndë, e cila dyshohet të jetë një vrasje për nder të urdhëruar nga babai i tyre, ndodhi pasi ai zbuloi se vajza e tij kishte një të dashur.
Viktima, 18-vjeçarja Rayan Al-Jayar, u vra nga vëllezërit e saj me urdhër të babait, Khaled, i cili pretendonte se ajo kishte “turpëruar” familjen. Babai ka ikur në Siri, ndërsa dy vëllezërit, Mohammed (23 vjeç) dhe Muhannad (25 vjeç), janë përballur me gjyqin.
Rayan Al-Jayar u zhduk nga shtëpia e familjes në Jura, Holandë, më 22 maj 2024. Gjashtë ditë më vonë, ajo u gjet e vdekur në një kënetë në Lelystad. Ekspertët mjeko-ligjorë zbuluan se ajo kishte gojën mbyllur, duart e lidhura pas shpine dhe kyçet e këmbëve të bllokuara me shirit ngjitës. Në thonjtë e saj u gjet ADN-ja e babait, duke sugjeruar se ajo kishte rezistuar.
Pretendimet e kundërta në gjyq
Prokurorët thonë se 18-vjeçarja u vra sepse kishte të dashur dhe veprimet e saj konsideroheshin “perëndimore”, duke e klasifikuar rastin si një krim nderi. Vëllezërit e saj, të cilëve u fillua gjyqi të enjten, këmbëngulin se vrasja është kryer nga babai i tyre.
Babai, i cili ndodhet në Siri, thuhet se ka dërguar dy email-e për gazetën holandeze “De Telegraaf”, duke marrë përgjegjësinë e plotë dhe duke i shpallur djemtë e tij të pafajshëm. Megjithatë, prokurorët e kanë hedhur poshtë këtë pretendim, duke theksuar se ai vetë urdhëroi rrëmbimin dhe vrasjen e Ryanit.
Vlen të theksohet se 18-vjeçarja ishte nën mbrojtje policore, e cila u ndërpre para vrasjes së saj, pa u sqaruar arsyet e këtij vendimi nga autoritetet.
Situata e babait në Siri
Media holandeze “Nieuwsuur” raportoi se babai, Khaled, fshihet në Sirinë veriore dhe është rimartuar. Ministria holandeze e Drejtësisë ka deklaruar se nuk ka mundësi për ta sjellë atë për gjykim, për shkak të mungesës së bashkëpunimit penal me Sirinë, pasi organet përkatëse nuk janë funksionale atje.
Nga ana tjetër, Ministri sirian i Drejtësisë, Mazhar al-Wais, pretendon se gjykatat siriane janë plotësisht funksionale dhe do të ofrojnë ndihmën ligjore të nevojshme. Ai shton se Siria ka trajtuar kërkesa nga vende evropiane, por nuk ka marrë asnjë nga Holanda për rastin e Ryan.
Avokatët e vëllezërve kanë kërkuar lirimin e tyre para gjyqit, por gjykatësi ka vendosur që ata të qëndrojnë në burg.
