Vrasja e dyfishtë në Manzë/ Gjendet e braktisur automjeti i 21-vjeçarit në kërkim
Automjeti i Daniel Pepës, 21-vjeçarit të shpallur në kërkim pas vrasjes së Flori Paluçit dhe Aranit Kurtit, është gjetur pasditen e sotme në Manzë të Durrësit.
Sipas informacioneve nga mediat, pas kontrolleve të kryera nga policia në mjetin e braktisur, është konstatuar një gjurmë plumbi, e cila mund të shërbejë si provë kyçe për hetimet.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, ku dy persona humbën jetën nga të shtënat me armë zjarri.
Fillimisht, 33-vjeçari Flori Paluçi vrau me armë zjarri 23-vjeçarin Aranit Kurti. Më pas, 21-vjeçari Daniel Pepa ka qëlluar ndaj 33-vjeçarit Paluçi, duke e lënë të vdekur në vend.
Dëshmitë fillestare tregojnë se Daniel Pepa dhe Aranit Kurti kishin shkuar në ambientet e një lokali dhe i kishin kërkuar kamarierit një kafe. Kamarieri u ka thënë se makina e kafesë ishte fikur.
Në këto rrethana, Flori Paluçi, i cili ndodhej në lokal si klient, është përfshirë në ngjarje. Personat kishin nisur një debat me kamarierin për moskryerjen e kafesë.
Në këtë moment, debati ka agravuar mes Paluçit dhe Pepës, ku të dy kanë nxjerrë armët.
