Gazetari i RAI3: Për Gjadrin u kërcënova nga karteli i Sinaloas i lidhur me shqiptarë
Gazetari investigativ i Rai-t, Sigfrido Ranucci, ka folur për herë të parë për një media shqiptare pas atentatit ndaj tij. Në një intervistë për emisionin me moderatoren Erla Mëhilli, ai ka dhënë detaje rreth ngjarjes dhe mesazhit që, sipas tij, autorët kanë dashur të përcjellin.
“Ishte ora 10 e mbrëmjes të enjten kur shpërtheu ky eksploziv, që përmbante 1 kg lëndë shpërthyese dhe ishte përgatitur nga ekspertë,” tha Ranucci. “Ai ishte vendosur në makinën time, por shpërtheu makina ime dhe ajo e vajzës sime. Ndodhi pasi vajza ime ishte kthyer në shtëpi; për fat, nuk i ndodhi asgjë. Por fuqia e tij mund të na kishte vrarë.”
Gazetari shtoi se nuk e kupton plotësisht qëllimin apo domethënien e aktit, por mendon se mesazhi që ata duan të japin është se mund të godasin në çdo moment. “Qëllimi është të na trembin ne, por kjo është një mision i pamundur,” theksoi ai.
Ranucci tregoi se pas ngjarjes, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e ka telefonuar për të shprehur solidaritet, gjë të cilën ai e vlerësoi. Ai gjithashtu përmendi se ka marrë mesazhe nga kolegë shqiptarë.
“Unë kam pasur telefonin e mbushur me telefonata dhe mesazhe. Të gjithëve dua t’iu kërkoj falje që nuk iu jam përgjigjur,” tha ai. “Kryeministrja më ka telefonuar, por unë isha në prokurori dhe nuk i jam përgjigjur. Nuk e dija se ishte ajo, pasi nuk e kisha numrin e saj. Jam përgjigjur pak më vonë dhe e falënderoj për solidarizimin.”
Ai ka folur edhe për kërcënimet që ka marrë lidhur me investigimin e qëndrave të emigrantëve në Gjadër.
“Ne kemi marrë një kërcënim nga një avokat ndërkombëtar që ka qenë në kartelin e Sinaloas, i cili ishte i lidhur me shqiptarë. Lidhur me këtë çështje, unë ua kam dërguar informacionin gjykatësve,” tha Ranucci.
I pyetur nëse shqiptari i ekstraduar nga Italia, Altin Sinomati, është porositësi i atentatit ndaj tij, Ranucci u shpreh se më parë ka marrë masa mbrojtëse nga shteti pasi një narkotrafikant kishte urdhëruar bandat shqiptare që ta vrisnin.
Ai theksoi se nuk ka ndonjë kërcënim apo mesazh konkret nga mafia shqiptare dhe se nuk mund të bëjë lidhje hipotetike të rasteve të mëparshme me atentatin ndaj tij.
“Siç thashë, ne nuk kemi elementët për të thënë se ky akt ka lindur nga bandat kriminale shqiptare,” tha Ranucci. “Janë disa tema që i kemi trajtuar disa herë, duke folur për organizatat kriminale që veprojnë në Romë. Unë, për shembull, kam marrë masa mbrojtëse sepse një i burgosur në Padova, i lidhur me ‘Ndrangheta-n, kishte biseduar me disa vrasës shqiptarë duke i kërkuar të më vrisnin mua. Unë kam marrë masa mbrojtëse nga shteti dhe nuk kam pasur mesazhe materiale nga mafia shqiptare. Çdo lidhje do ishte shumë hipotetike dhe e bazuar në asnjë fakt.”
