Mediat greke raportojnë: Çfarë fshihet pas vrasjes së Jani Aliajt në burg
Zbardhen detaje të reja lidhur me vrasjen e Jani Aliajt, e cila ndodhi dje në një burg grek. Mediat greke i kanë rikthyer vëmendjen vrasjes së këtij personazhi të konsideruar si të rrezikshëm nga drejtësia shqiptare, i cili u sulmua për vdekje brenda burgut të sigurisë së lartë Korydallos në Greqi.
Sipas burimeve, viktima kishte pasur një “urdhër vdekjeje” dhe kishte shpëtuar nga një atentat i ngjashëm rreth gjashtë muaj më parë, në të njëjtin institucion. Ngjarja e rëndë ndodhi kur një i burgosur grek 27-vjeçar, gjithashtu i klasifikuar si kriminel i rrezikshëm, hyri në qelinë e Jani Aliajt dhe e goditi me thikë disa herë, duke i shkaktuar plagë fatale.
Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë, 49-vjeçari humbi jetën si pasojë e plagëve të marra. Viktima ishte arratisur vite më parë nga burgu i Korfuzit pasi kishte përfituar leje dhe nuk ishte kthyer më. Ai u arrestua pas gati nëntë vitesh në kërkim dhe që atëherë ishte sërish në burg.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se prej kohësh kishte informacione për kërcënime serioze ndaj jetës së tij, ndërsa rivalë të botës së krimit dyshohet se kishin porositur eliminimin e tij. Për këtë arsye, disa muaj më parë ai ishte vendosur në regjim mbrojtjeje, duke u mbajtur në një qeli të përbashkët me një ish-oficer policie të akuzuar për trafik droge. Megjithatë, masat e sigurisë nuk rezultuan të mjaftueshme.
Ditën e djeshme, i burgosuri grek arriti t’i shkaktojë goditje kritike në trup, nga të cilat 49-vjeçari nuk mundi të mbijetojë. Autoritetet greke kanë nisur hetim të plotë për rrethanat e ngjarjes, ndërsa po shqyrtohet edhe dështimi i protokolleve të sigurisë brenda një prej burgjeve më të ruajtura të vendit.
