Vrasja në Rinas/ Zbulohet bashkëpunëtori i parë në atentatin ndaj Gilmando Danit
Ylli Zalla është pronari i banesës ku forcat RENEA zbuluan një arsenal armësh zjarri dhe mina gjatë orëve të fundit. Zalla dyshohet të ketë qenë bashkëpunëtor në atentatin e përgjakshëm të 11 nëntorit në Rinas, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos rëndë miku i tij, Muçi Shaljani. Aktualisht, dyshohet se ky shtetas ka furnizuar me armë autorët e kësaj ngjarjeje.
Burime pranë mediave bëjnë me dije se automjeti tip “Toyota”, i cili u përdor nga atentatorët ditën e ngjarjes, dyshohet të ketë dalë nga banesa e Zallës.
Në banesën në pronësi të shtetasit Ylli Zalla janë gjetur:
- 3 kallëpë tritol.
- Sasi lëndësh plasëse gati për shpërthim, të montuara me kapsolla detonatore, fitil zjarrpërcjellës dhe celularë (mina).
- 3 ndezës granatash, kapsolla detonatore dhe 5 celularë.
- 4 armë zjarri (2 automatikë dhe 2 pushkë), 8 krehëra dhe pjesë armësh.
- 6000 fishekë të kalibrave të ndryshëm.
- 2 kg e 25 gramë kanabis.
Ky shtetas nuk është një emër i panjohur për Policinë e Shtetit. Në prill të vitit 2014, ai u arrestua sërish dhe njihet në zonë si një person problematik, lidhur me përplasje me pronarët e fabrikës së çimentos, trafikun e drogës apo dërgimin e xhihadistëve në Siri.
Edhe në vitin 2011, i janë gjetur dhe sekuestruar 166 kallëpë tritoli, nga 400 gramë secila, 10 mina kundratank, qindra fishekë dhe armë.
Njoftim i plotë i Policisë:
Tiranë/ Zhvillohet operacioni policor i koduar “Tracking”, nga specialistët e Sektorit të Krimeve të Rënda të DVP Tiranë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë.
Operacioni, ende në vijim në rrethin e Krujës, zhvillohet në kuadër të punës intensive hetimore dhe operacionale, me objektiv zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të ngjarjes së datës 11.11.2025, te rrethrrotullimi i Rinasit.
Zbulohet një banesë në fshatin Zall, Fushë Krujë, ku mbahej një arsenal armësh shpërthyese, armësh zjarri dhe municioni.
Gjatë kontrolleve, u gjetën në këtë banesë:
- Sasi lëndësh plasëse gati për shpërthim, të montuara me kapsolla detonatore, fitil zjarrpërcjellës dhe celularë (mina).
- 3 ndezës granatash, kapsolla detonatore dhe 5 celularë.
- 4 armë zjarri (2 automatikë dhe 2 pushkë), 8 krehëra dhe pjesë armësh.
- 6000 fishekë të kalibrave të ndryshëm.
- 2 kg e 25 gramë Cannabis.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u shpall në kërkim pronari i banesës, shtetasi Y. Z., 48 vjeç. Punohet intensivisht për kapjen e tij, si dhe po hetohet me qëllim zbardhjen e lidhjes së mundshme që mund të ketë 48-vjeçari me ngjarjen e ndodhur te rrethrrotullimi i Rinasit.
Operacioni policor i koduar “Tracking”, vijon. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
