Stjuardesa 25-vjeçare gjendet e vdekur në hotel, ish-bashkëshorti arrestohet si i dyshuar
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Dubai, ku një asistente fluturimi 25-vjeçare është gjetur e pajetë në dhomën e një hoteli me pesë yje. Autoritetet njoftojnë se ajo u sulmua disa herë me një objekt të mprehtë dhe humbi jetën në vend.
Si i dyshuar për krimin është arrestuar Albert Morgan, 41 vjeç, ish-bashkëshorti i viktimës. Ai u ndalua nga autoritetet ruse në Shën Petersburg, bazuar në një urdhër gjykate.
Sipas mediave ndërkombëtare, hetuesit dyshojnë se motivi i krimit është xhelozia. Morgan mendohet se kishte dyshime për aktivitetet e viktimës gjatë kohës kur ata ishin në një lidhje.
Burime hetimore thonë se i dyshuari arriti të hynte në dhomën e hotelit duke u paraqitur si klient, çka solli një përplasje mes tyre, e cila përfundoi tragjikisht me vdekjen e 25-vjeçares.
Autoritetet sqarojnë se Morgan udhëtoi drejt Dubait i shoqëruar nga një person tjetër, i cili dyshohet se e ndihmoi të identifikonte dhomën e viktimës. Identifikimi i tij u bë falë pamjeve të kamerave të sigurisë së hotelit, të cilat u shfrytëzuan nga autoritetet përkatëse dhe çuan në arrestimin e tij pas kthimit në Rusi.
Mediat raportojnë gjithashtu se para ndalimit, Morgan kishte bërë kërkesa për t’u rekrutuar për të luftuar në Ukrainë, një praktikë që, sipas burimeve, përdoret shpesh nga persona të dyshuar për krime për t’iu shmangur drejtësisë.
Gjykata e Distriktit Oktyabrsky në Shën Petersburg ka urdhëruar paraburgimin e tij për dy muaj, në pritje të hetimeve të mëtejshme, duke e akuzuar për vrasje sipas nenit 105 të Kodit Penal Rus.
Sipas autoriteteve, gjatë martesës dyvjeçare, viktima kishte kontaktuar policinë disa herë për shkak të konflikteve të dhunshme, por më pas kishte tërhequr ankesat.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.
