Breshëri plumbash në Greqi, tre persona të vrarë dhe mbi 10 të plagosur
Një ngjarje kaotike raportohet të ketë ndodhur në fshatin Vorizia të Heraklionit, Greqi, ku si pasojë tre persona kanë humbur jetën dhe rreth 12 të tjerë janë plagosur. Të shtënat me armë kanë ndodhur mes dy familjeve, të cilat prej muajsh kanë qenë në konflikt të hapur.
Pavarsisht ndërhyrjes së forcave të shumta policore, konflikti mes familjeve vijon ende në zonë, ndërsa raportohet se janë hedhur mbi 2,000 plumba. Dëshmitarët thonë se dëgjohen vazhdimisht të shtëna me armë zjarri në zonë.
Mes viktimave janë dy gra dhe një burrë. Njëra prej grave dyshohet se ka humbur jetën pas një ataku kardiak nga frika, ndërsa njëri nga dy burrat e vrarë është njëri nga autorët që hapi zjarr.
Të plagosurit janë transportuar me ambulanca në Qendrën Shëndetësore Moira dhe Qendrën Shëndetësore Agia Varvara. Këto qendra ruhen nga policia për të shmangur incidente të tjera.
Banorët e fshatit, ndonëse në panik, po ndihmojnë në transportimin e të plagosurve, duke përdorur edhe automjete bujqësore për t’i çuar në spital.
Sipas të dhënave paraprake, konflikti ka nisur prej një viti, ndërsa përleshja e sotme besohet të jetë hakmarrje për një shpërthim që ndodhi mbrëmë vonë në një ndërtesë në ndërtim në të njëjtin fshat.
E gjitha filloi të premten në mbrëmje, kur në fshat u krijua kaos për shkak të zhurmës shurdhuese të bërë nga shpërthimi, i cili ndodhi në një shtëpi në ndërtim e sipër. Të nesërmen në mëngjes, një grup njerëzish nga një familje e madhe fshatare rrëmbyen armët dhe filluan të qëllonin në shenjë hakmarrjeje.
Forca të forta policore po veprojnë në fshat për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për të kontrolluar situatën.
Kjo masakër të kujton hakmarrjen vdekjeprurëse të vitit 1955, ku brenda vetëm pak orësh, gjashtë banorë të fshatit Riziti humbën jetën, ndërsa 14 të tjerë u plagosën.
