Vrasje në Durrës: 4 të arrestuar, autori në kërkim

Vrasja për një kafe në Durrës, detyrim paraqitje për 4 të arrestuarit

Gjykata e Durrësit ka vendosur masat e sigurisë “detyrim paraqitjeje” dhe “ndalim daljeje jashtë shtetit” për katër personat e arrestuar në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Durrës.

Personat e arrestuar janë Erald Cani, Ergi Kadiu dhe vëllezërit Taulant Beqja dhe Emirjan Beqja, të cilët akuzohen për moskallëzim krimi.

Ndërkohë, është shpallur në kërkim Daniel Pepa, i cili dyshohet të jetë autori i vrasjes së Flori Paluçit. Sipas hetuesve, ngjarja ka shpërthyer pasi Paluçi kishte qëlluar më parë mikun e tij, Aranit Kurtin.

Hetimet paraprake zbulojnë se Daniel Pepa ka hyrë në lokal dhe për motive banale është konfliktuar verbalisht me kamerierin dhe me Flori Paluçin, i cili ndodhej aty i shoqëruar nga disa persona, përfshirë të arrestuarin Erald Cani.

Pas këtij konflikti, Daniel Pepa është larguar me automjet, por është kthyer menjëherë, i shoqëruar nga Ergi Kadiu dhe Aranit Kurti.

Gjatë tentativës së tre personave për të hyrë sërish në lokal, ka dalë jashtë Flori Paluçi, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tokës. Në atë moment, Daniel Pepa dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri drejt Flori Paluçit, duke e plagosur. Paluçi, nga ana e tij, ka qëlluar me armë zjarri drejt Daniel Pepës dhe Aranit Kurtit (i cili dyshohet se e ka goditur me grusht në fytyrë Florin Paluçin).

Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit kanë humbur jetën shtetasit Florian Paluçi dhe Aranit Kurti.

Më tej, hetimet sugjerojnë se shtetasi G. A. është larguar nga vendngjarja së bashku me Daniel Pepën.

Vijojnë kërkime intensive për kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes, Daniel Pepës, si dhe për shtetasin e shpallur në kërkim, G. A.

Scroll to Top