Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, duke komentuar zgjedhjen e Nenad Rashiçit si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, ka pretenduar se ai nuk përfaqëson askënd, por është “ndihmës i Albin Kurtit”.
Vuçiç përsëriti se Serbia nuk e fsheh dëshirën për të mbështetur Listën Serbe në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Pas gjashtë muajsh nga seanca e parë konstituive, Kuvendi i Kosovës u konstitua më 10 tetor. Pas zgjedhjes së pesë nënkryetarëve, kryeparlamentari Dimal Basha shpalli Kuvendin e konstituar.
Nenad Rashiç, nga partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, u zgjodh nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, pasi nëntë propozime të Listës Serbe dështuan. Ai u zgjodh me 71 vota për, 9 kundër dhe 24 abstenime.
Rashiç mori vota nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës abstenuan, ndërsa Lista Serbe votoi kundër.