Vuçiç vs. SHBA: A rrezikon Serbia marrëdhëniet me Iranin?

Retorika e Vuçiçit për Iranin: A po i rrezikon Serbia marrëdhëniet me SHBA-në?

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se nuk mbështet asnjë palë në konfliktin mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit me Iranin, por vlerëson se bëhet fjalë për përpjekje për marrjen e pushtetit në Teheran. Ai e krahasoi operacionin ushtarak me bombardimin e Jugosllavisë nga NATO-ja në vitin 1999 dhe me përmbysjen e regjimit të Sllobodan Millosheviqit në Serbi, gjë që çoi vendin në izolim ndërkombëtar. Sipas Vuçiqit, edhe atëherë, qëllimi ishte ndryshimi i regjimit në Serbi dhe arritja e pavarësisë së Kosovës.

Departamenti Amerikan i Shtetit nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të komentuar këto deklarata.

Marko Savkoviq, nga Qendra joqeveritare për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë (ISAC) në Beograd, vlerëson se aktualisht qëndrimet e Beogradit dhe Uashingtonit janë mjaft larg njëri-tjetrit.

“Nuk ka asnjë proces që mund t’i afrojë – sigurisht që nuk është Kosova, nuk është Bosnja dhe asgjë që po ndodh në rajon,” thotë Savkoviq për Radion Evropa e Lirë. Ai vëren se “interesat amerikane janë qartazi diku tjetër.”

“Ndoshta Beogradi mund të presë pak dhe të ndjekë politikën e Bashkimit Evropian për një kohë,” shton Savkoviq.

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën më 28 shkurt sulmet ndaj Iranit, i cili u kundërpërgjigj duke goditur bazat ushtarake amerikane në vendet fqinje të Gjirit Persik. Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se e ka urdhëruar operacionin për të penguar Iranin nga zhvillimi i armëve bërthamore. Ai shtoi se qëllim është edhe ndalimi i programit iranian të raketave balistike dhe ndërprerja e dhunës kundër protestuesve kundër qeverisë.

Në fillim të operacionit SHBA-Izrael kundër Iranit, presidenti serb Vuçiç vlerësoi se gjithçka po ndodhte “sikurse në Serbi”. “Na gënjyen gjatë gjithë kohës se bëhej fjalë për një katastrofë humanitare,” tha Vuçiç për Televizionin Informer më 28 shkurt. Sipas tij, qëllimi i bombardimeve të NATO-s ndaj Jugosllavisë në vitin 1999 ishte ndryshimi i regjimit në Beograd dhe arritja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, ashtu siç është tani “marrja e pushtetit në Iran” dhe “kthimi i vendit kah vlerat perëndimore.”

“Ata do ta shkatërrojnë plotësisht Khamenein dhe pastaj do të bëjnë një llogaritje ekonomike, që do t’i sjellë dobi fuqisë më të madhe në botë. Në këtë mënyrë, Trump arrin qëllimet e tij,” deklaroi Vuçiç.

Savkoviq thotë se kjo tingëllon si “deklaratë për përdorim të brendshëm.”

“Populli ynë është i ndjeshëm dhe sa herë që bëhet fjalë për fushata ajrore kundër ndonjë vendi, krahasimet me vitin 1999 janë të pashmangshme,” thotë ai.

Duke thënë se Serbia, si vend i vogël, është gjithmonë objekt i marrëveshjeve mes fuqive dhe se “gjithmonë do të jetë ashtu siç thonë amerikanët”, Vuçiç shtoi se asaj “i mbetet të nisë një dialog strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe të marrë vendime të rëndësishme në raport me ta.”

Savkoviq nuk beson se deklaratat e Vuçiqit do t’i ndërlikojnë më tej marrëdhëniet midis Serbisë dhe SHBA-së.

Beogradi zyrtar ka marrëdhënie miqësore me Iranin dhe vendet e tjera të përfshira në konfliktin në Lindjen e Mesme – kryesisht me Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Serbia është gjithmonë kundër sulmeve ndaj objektivave civile, pavarësisht se nga cila anë vijnë dhe pavarësisht se kush është viktimë,” tha ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriç, më 5 mars. Ai, më herët, i dënoi edhe sulmet e Iranit ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të vendeve të Gjirit.

Në bisedat telefonike me udhëheqësit e diplomacive të këtyre vendeve, ai deklaroi se sulmet e tilla minojnë stabilitetin rajonal dhe kërcënojnë sigurinë ndërkombëtare.

Në paraqitjet në media, Gjuriç tha se Serbia duhet të qëndrojë pranë partnerëve të saj në parim – pa hyrë në analiza më të gjera të konfliktit. E, një nga partnerët e saj është edhe Irani, i cili ka qenë nën sanksione ndërkombëtare për vite me radhë, për shkak të programit të tij bërthamor.

“Në Beograd nuk është folur shumë për natyrën e regjimit në Iran,” thotë Savkoviq.

Serbia, në shumë raste, nuk është harmonizuar me vendimet e Bashkimit Evropian për masa kufizuese ndaj Iranit, qoftë për shkak të aktiviteteve bërthamore, apo për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut. Irani mbështet Serbinë në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës.

Ndryshe nga bashkëpunimi politik, bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve është më modest.

Sulmet ndaj Iranit janë shoqëruar edhe me ndryshim të retorikës në tabloidët proqeveritarë në Serbi, të cilët kanë qenë simpatizues ndaj presidentit amerikan, Donald Trump. Së voni kanë publikuar tituj si: “Po bie Donald Trump?!”, “Dështimi i planeve amerikane”, “Bombardim i egër, Amerika dhe Izraeli pa mëshirë po djegin gjithçka.”

“Edhe pse tabloidët në masë të madhe formësojnë mënyrën se si një pjesë e qytetarëve e shohin botën, mendoj se ndikimi i tyre në përcaktimin e drejtimit të politikës është shumë, shumë i kufizuar,” vlerëson Savkoviq.

Ndryshim toni është parë edhe te lideri i Partisë Radikale Serbe, Vojisllav Sheshel. Viteve të fundit, ai ka veshur shpesh një bluzë me imazhin e Donald Trumpit, por këtë javë është nënshkruar në librin e ngushëllimeve për vrasjen e Khameneit, në Ambasadën e Iranit në Beograd.

Scroll to Top