“`html
Situata e Xabi Alonsos po bëhet më e vështirë pas humbjes së Real Madridit ndaj Selta Vigos në kampionat. Ky dështim në shtëpi ka ringjallur spekulimet për një shkarkim të mundshëm të trajnerit spanjoll.
Mediat lokale po e drejtojnë vëmendjen te ndeshja e së mërkurës në Ligën e Kampionëve kundër Mançester Sitit, duke e konsideruar atë si një pikë kthese të mundshme.
Sipas disa thashethemeve, klubi i ka pasur në konsideratë Jurgen Klop dhe Zinedin Zidan si zëvendësues të mundshëm. Megjithatë, burime të brendshme, të kontaktuara nga gazeta AS, i kanë mohuar kategorikisht këto spekulime.
Gazeta spanjolle sqaron se Zidan nuk është aktualisht një opsion për Real Madridin. Ai është i angazhuar në negociata me Federatën Franceze për të marrë drejtimin e ekipit kombëtar pas Kupës së Botës 2026. Prandaj, nuk do të ketë një rikthim të tretë për ish-kampionin francez në krye të “Los Blancos”.
Ajo që është e sigurt është se drejtimi i Xabi Alonsos po përçan opinionin. Disa do të favorizonin shkarkimin e tij, ndërsa të tjerë preferojnë të qëndrojnë të qetë dhe të respektojnë punën e bërë deri më tani.
Ish-mesfushori mbetet një figurë e respektuar për karrierën e tij si trajner dhe lojtar te Real Madridi. Megjithatë, në futboll, rezultatet kanë rëndësi. Në shtatë ndeshjet e tij të fundit, trajneri ka fituar vetëm dy, duke humbur vendin e parë në La Liga ndaj Barcelonës dhe tani duke qenë katër pikë prapa.
“`
