Yield-et e bonove të thesarit mbyllin vitin 2025 në nivele minimale
Yield-et e bonove të thesarit kanë mbyllur vitin 2025 në nivele rekord të ulëta. Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar i bonove 12-mujore në ankandin e fundit të vitit rezultoi 2.44%, një nivel identik me ankandin e një jave më parë.
Në ankandin e fundit të vitit 2025, kërkesa për bono ishte disi më e ulët, duke arritur në 6.65 miliardë lekë, krahasuar me shumën e shpallur për financim prej 6.5 miliardë lekësh nga Ministria e Financave. Megjithatë, Ministria vendosi të pranojë kërkesa për një shumë prej 6.15 miliardë lekësh.
Ky zhvillim mund të lidhet me nevojën e kufizuar për financim, duke pasur parasysh se deri në fund të nëntorit, buxheti rezultoi me një suficit të konsiderueshëm dhe me shumë mundësi programi i shpenzimeve të planifikuar nuk do të realizohej plotësisht brenda vitit.
Yield-et e bonove të thesarit kanë vijuar të qëndrojnë nën nivelin e normës bazë të interesit, duke konfirmuar një trend të vazhdueshëm të normave të ulëta gjatë gjithë vitit 2025. Krahasuar me një vit më parë, yield-et kanë shënuar rënie. Në fund të vitit 2024, yield-et e bonove 12-mujore ishin 2.76%, gjithashtu afër normës bazë të interesit.
Disa faktorë kontribuojnë në uljen e yield-eve, duke përfshirë:
- Gjendjen e mirë të likuiditetit në treg.
- Kërkesën në rritje të qeverisë për financim në tregun e brendshëm.
- Primet më të ulëta të rrezikut, të lidhura me uljen e borxhit publik dhe përmirësimin e vlerësimit të kreditit nga agjencitë e specializuara.
Yield-et e ulëta të titujve qeveritarë, veçanërisht ato afatshkurtra, kanë një ndikim të drejtpërdrejtë edhe në koston e kredisë në lekë për sektorin privat. Meqenëse kreditë afatgjata në monedhën vendase zakonisht kuotohen duke u bazuar në ecurinë e bonove të thesarit, yield-et e ulëta të tyre çojnë në nivele më të ulëta të normave të interesit të kredive.
Statistikat tregojnë se edhe këtë vit, kreditë po rriten me ritme të shpejta, pavarësisht masave të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, siç janë rritja e kërkesës për kapital ndaj bankave dhe vendosja e masave kufizuese për huadhënien për blerje banesash nga individët.
Sipas kalendarit të emetimeve të Ministrisë së Financave, për tremujorin e parë të vitit 2026, huamarrja e planifikuar do të jetë 134 miliardë lekë, një rritje prej 1.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak. Megjithëse huamarrja në tremujorin e parë të 2026 pritet të rritet lehtë, parashikohet të jetë më e ulët në total për gjithë vitin 2026 krahasuar me vitin 2025.
Buxheti i vitit 2026 parashikon një vlerë totale të huamarrjes së re për t’u financuar në tregun e brendshëm prej 45 miliardë lekësh, që përfaqëson një ulje prej 10% krahasuar me parashikimin për buxhetin e vitit 2025.
