Yield-et e obligacioneve 15-vjeçare shënojnë rritje, duke arritur nivelin më të lartë që prej nëntorit 2024.
Yield-et e obligacioneve me maturim 15-vjeçar kanë vazhduar trendin e rritjes në ankandin e zhvilluar këtë javë. Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare e fitimit (yield) e pranuar në ankand arriti në 6.35%, duke u rritur nga 6.22% që ishte në ankandin e muajit qershor. Krahasuar me një vit më parë, kur yield-i ishte 5.95%, kjo shënon një rritje të konsiderueshme.
Aktualisht, yield-i i këtyre obligacioneve 15-vjeçare ka arritur nivelin më të lartë që prej nëntorit të vitit 2024. Një zhvillim i rëndësishëm në ankandin e kësaj jave ka qenë rritja e kërkesës së investitorëve, një fenomen i kundërt me trendin e muajve të fundit, ku ankandet e titujve afatgjatë ishin karakterizuar nga kërkesë më e ulët.
Shuma totale e kërkesave në ankandin e kësaj jave arriti rreth 3.8 miliardë lekë, ndërsa shuma e shpallur për financim ishte 1.5 miliardë lekë. Ministria e Financave, duke përfituar nga interesi i lartë i investitorëve, vendosi të rrisë shumën e emetimit në 1.72 miliardë lekë.
Që prej tremujorit të dytë të vitit, yield-et e titujve qeveritarë kanë treguar një tendencë në rritje, veçanërisht për instrumentet me maturim më të gjatë. Konflikti në Lindjen e Mesme ka kontribuar në rritjen e inflacionit dhe ka forcuar pritshmëritë e tregjeve për një rritje të normave të interesit.
Pavendosur ende për një rritje të normës bazë, Banka e Shqipërisë vëzhgon inflacionin aktual prej 3.2% dhe inflacionin bazë, i cili është në nivele më të larta, 3.5%. Ky qëndrim i maturuar mbështetet në pritshmërinë se efektet e krizës gjeopolitike në Lindjen e Mesme do të jenë kalimtare. Megjithatë, zhvillimet e muajit korrik kanë treguar se kjo pritshmëri mund të mos përmbushet, pasi çmimet e naftës janë rritur sërish, duke sinjalizuar një rritje të mundshme të mëtejshme të inflacionit dhe duke rritur gjasat për një veprim nga ana e Bankës Qendrore.
Në kontekstin ndërkombëtar, Banka Qendrore Europiane ka ndërmarrë një hap, duke rritur normat referuese me 0.25 pikë përqindje në muajin qershor.
Rritja e yield-eve në muajt e fundit mund të lidhet, përveç rikalibrimit të pritshmërive të investitorëve, edhe me uljen e pjesëmarrjes së tyre në ankande. Ky fenomen mund të shpjegohet pjesërisht me një ulje graduale të blerjeve nga bankat, të cilat janë investitorët kryesorë në titujt e borxhit qeveritar, si dhe me pritshmëritë më të larta për rritje të normave të interesit në periudhën e ardhshme.
Yield-et e titujve qeveritarë përbëjnë treguesin kryesor dhe më të ndjeshëm të ndikimit të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë. Një rritje e yield-eve nuk do të ndikojë vetëm në koston e huamarrjes së qeverisë, por do të reflektohet edhe në normat e interesit të kredive për sektorin privat.
Burimi: Banka e Shqipërisë, E.Shehu
