Shkencëtari shpërthen në lot nga gëzimi pasi gjen lulen më të rrallë në botë pas 13 vitesh kërkimesh.
Një studiues i luleve përjetoi një emocion të thellë kur zbuloi Rafflesia hasseltii, një nga lulet më të rralla në botë, gjatë një ekspedite në Sumatra të Indonezisë.
“Shtegtimi ishte i vështirë dhe lulja aq e veçantë, sa u prekëm shumë kur e pamë,” tha për The New York Post Dr. Chris Thorogood, profesor i asociuar i biologjisë në Universitetin e Oksfordit, i cili mori pjesë në ekspeditë.
Ai theksoi se këtë lule të madhe parazitare me ngjyrë të kuqe “e kanë parë më shumë tigra sesa njerëz”. Thorogood dhe ekipi i tij kaluan ditë dhe net duke eksploruar pyjet tropikale të Sumatras për ta gjetur.
Në video, shihet kolegu i tij, një studiues indonezian i luleve, duke qarë nga gëzimi. Më pas, kamera fokusohet te lulja teksa hap petalet e saj gjigante.
Në fund të videos, të dy burrat nënvizojnë rëndësinë e zbulimit, duke e cilësuar si “një rast në një milion”.
“Kjo është e pabesueshme,” tha Andrikithat, i emocionuar, duke shpjeguar se ai e kishte kërkuar këtë lule prej “13 vitesh”.
“Jam njeriu më me fat që jeton,” shtoi Thorogood.
Botanisti shpjegoi për The Post se “të qëndroje qetësisht pranë lules ishte një ndjesi e çuditshme”, duke e krahasuar me “diçka që vinte nga një planet tjetër”.
Ai sqaroi se kjo lule çel për një periudhë shumë të shkurtër kohë: Mund të nevojiten deri në 9 muaj që sythi të zhvillohet, ndërsa lulja qëndron e hapur vetëm për pak ditë.
“Kjo u hap para syve tanë. Nuk di të imagjinoj shanset. Ishte sikur u hap posaçërisht për ne.”
