Zelensky i kërkon SHBA-së të zgjerojnë sanksionet ndaj Rusisë dhe të fillojnë bisedimet e paqes
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka kërkuar Shteteve të Bashkuara të zgjerojnë sanksionet ndaj naftës ruse, duke i shtrirë ato nga dy kompani në të gjithë sektorin. Ai gjithashtu bëri thirrje për kundërpërgjigje ndaj Rusisë me raketa me rreze të gjatë veprimi.
Zelensky ndodhej në Londër për bisedime me rreth dy dhjetëra udhëheqës evropianë, të cilët kanë premtuar mbështetje ushtarake për të mbrojtur Ukrainën nga agresioni rus, në rast se një armëpushim i mundshëm i jep fund luftës më shumë se tre-vjeçare.
Takimi, i organizuar nga kryeministri britanik Keir Starmer, kishte për qëllim rritjen e presionit mbi presidentin rus Vladimir Putin. Ky takim synonte të shtonte vrullin e masave të fundit, duke përfshirë një raund të ri sanksionesh nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat synojnë të kufizojnë të ardhurat jetësore të Rusisë nga eksporti i naftës dhe gazit.
Bisedimet u fokusuan gjithashtu te mënyrat për të ndihmuar në mbrojtjen e rrjetit elektrik të Ukrainës nga sulmet pothuajse të përditshme me dronë dhe raketa ruse, ndërsa afrohet dimri. Mes masave të diskutuar ishin forcimi i mbrojtjes ajrore ukrainase dhe furnizimi i Kievit me raketa me rreze të gjatë veprimi, të cilat mund të godasin thellë brenda territorit rus.
Zelensky i ka kërkuar SHBA-së të dërgojë raketa Tomahawk, një propozim me të cilin Presidenti amerikan Donald Trump ka flirtuar më parë, por deri më tani ka refuzuar ta realizojë.
Udhëheqësi ukrainas vlerësoi vendimin e Trump këtë javë për të vendosur sanksione për naftën si “një hap i madh”. Ai theksoi se “ne duhet të ushtrojmë presion jo vetëm ndaj Rosneft dhe Lukoil, por ndaj të gjitha kompanive ruse të naftës”.
Në një konferencë shtypi në Ministrinë e Jashtme në Londër, ai shtoi: “Përveç kësaj, ne po kryejmë fushatën tonë të presionit me dronë dhe raketa që synojnë posaçërisht sektorin rus të naftës.”
Deri më tani, Putin u ka rezistuar përpjekjeve për ta shtyrë atë drejt negociatave për një zgjidhje paqësore me Zelensky, duke argumentuar se motivet për pushtimin e plotë të Ukrainës nga Rusia janë legjitime.
