Zelensky: I propozuam Trumpit një takim me Putinin në SHBA
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Rusisë i është ofruar mundësia për një takim në nivel të lartë për të diskutuar përfundimin e luftës, por sipas tij, presidenti Vladimir Putin e ka refuzuar këtë propozim.
“Ne i ofruam Putinit mundësinë për t’u takuar kudo që mund të merreshin vendime konkrete për t’i dhënë fund luftës. Ai nuk pranoi”, u shpreh Zelensky.
Sipas presidentit ukrainas, Kievi ka diskutuar me Shtetet e Bashkuara dhe Francën mundësinë e zhvillimit të një takimi me Rusinë gjatë samitit të G7, por edhe kjo nismë nuk është pranuar nga Moska.
Zelensky shtoi se së fundmi i ka propozuar edhe presidentit amerikan Donald Trump që një takim i tillë të zhvillohej në Shtetet e Bashkuara, në një format që, sipas tij, do ta bënte shumë më të vështirë për Vladimir Putinin ta refuzonte.
“Do të shohim se çfarë do të ndodhë. Nëse Rusia e refuzon edhe këtë mundësi, do të nevojitet presion i mëtejshëm,” deklaroi Zelensky, duke lënë të kuptohet se Kievi pret rritje të presionit diplomatik ndaj Moskës nëse nuk ka gatishmëri për negociata.
