Zelensky: Ukraina dëshiron paqe, por jo me çdo kusht

Zelensky: Ukrainasit duan paqe, por jo me çdo kusht

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e nisi Vitin e Ri me një fjalim ku u zotua se do të vazhdojë punën për një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund luftës me Rusinë. Megjithatë, ai theksoi se një marrëveshje e tillë nuk mund të arrihet “me çdo kusht”.

Fjalimi i tij 21-minutësh, i mbajtur në prag të Vitit të Ri, erdhi ndërsa ai po përgatitej për raundin e radhës të negociatave për paqe dhe në kohën kur forcat ukrainase kishin shënjestruar objektiva energjetikë të Kremlinit, pas intensifikimit të sulmeve ruse ndaj infrastrukturës civile në Ukrainë.

Zelensky tha se një marrëveshje paqeje, e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, ishte “90 për qind” e përfunduar. Megjithatë, ai paralajmëroi se 10 për qindëshi i mbetur do të jetë i vështirë dhe do të vendosë “fatin e paqes, të Ukrainës dhe të Evropës”.

“Çfarë do Ukraina? Paqe? Po. Me çdo kusht? Jo. Ne duam t’i japim fund luftës, por jo t’i japim fund Ukrainës,” u shpreh ai. “A jemi të lodhur? Shumë. A do të thotë kjo se jemi gati të dorëzohemi? Kushdo që e mendon këtë gabon rëndë.”

Udhëheqësi ukrainas theksoi se do të nënshkruajë vetëm një “marrëveshje të fortë”, pasi çdo nënshkrim “i vendosur në marrëveshje të dobëta vetëm sa do ta nxisë luftën”.

Një proces diplomatik për paqe filloi në nëntor 2025, kur presidenti amerikan, Donald Trump, i bëri thirrje Zleneskyt që të pranonte një propozim paqeje me 28 pika, që shumë e panë si në favor të Rusisë. Ukraina dhe aleatët e saj evropianë, të udhëhequr nga Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania, u përpoqën shpejt të hartonin një kundërpropozim, duke paraqitur përfundimisht një plan me 20 pika që merrte më shumë parasysh interesat e Kievit, veçanërisht sa i përket garancive të sigurisë dhe integritetit territorial.

Zelensky tha se këshilltarët e sigurisë kombëtare nga shtetet e të ashtuquajturit Koalicioni i Vullnetit do të takohen në Ukrainë më 3 janar, pak para se udhëheqësit evropianë të mblidhen në Paris më 6 janar. Koalicioni është një grupim joformal prej rreth 30 shtetesh, i udhëhequr nga Britania e Madhe dhe Franca, që kanë shprehur interes për të mbështetur përpjekjet për ruajtjen e paqes në rast të një armëpushimi në Ukrainë. Nuk dihet cilat prej këtyre vendeve do të merrnin pjesë në takime.

Zelensky i bëri thirrje “mbarë botës” të ushtrojë presion ndaj Moskës dhe tha se besimi te fjalët e Kremlinit është një “dënim kundër sigurisë së përbashkët ndërkombëtare”.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha në fjalimin e tij të Vitit të Ri se shtetet evropiane dhe aleatë të tjerë do të bëjnë angazhime “konkrete” për sigurinë e Ukrainës gjatë bisedimeve në Paris.

I dërguari i posaçëm i Trumpit, Steve Witkoff, tha më 31 dhjetor se kishte zhvilluar një bisedë telefonike “produktive” me këshilltarët për sigurinë kombëtare të Britanisë së Madhe, Francës dhe Gjermanisë për të diskutuar procesin e paqes. Witkoff tha se pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu një “paketë prosperiteti” për Ukrainën dhe se Rustem Umerov, negociatori kryesor i Kievit, ishte po ashtu në këtë bisedë, së bashku me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe dhëndrin e Trumpit, Jared Kushner.

“U përqendruam në mënyrën se si t’i çojmë përpara diskutimet në mënyrë praktike në kuadër të procesit të paqes të [Trumpit], përfshirë forcimin e garancive të sigurisë dhe zhvillimin e mekanizmave efektivë të shmangies së përplasjeve, për të ndihmuar në përfundimin e luftës dhe për të siguruar që ajo të mos përsëritet,” shtoi ai.

Scroll to Top