Zelensky: “Nëse Moska është gati të flasë, ne do të jemi aty. Ky është plani.” Presidenti i Ukrainës i kërkon BE-së të zhbllokojë 140 miliardë euro nga asetet ruse të ngrira.
Gjatë një konference për shtyp në Bruksel, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, i pyetur nga mediat, u shpreh se nuk ka dijeni për një plan paqeje me 12 pika që po përgatitet nga zyrtarë ukrainas dhe evropianë, siç raportoi Bloomberg në fillim të javës.
Megjithatë, ai shtoi: “Nëse Rusia është gati të flasë, ne jemi gati të flasim, ky është plani.”
“Plani fillon me një vullnet për t’u ulur dhe për të folur, jo për t’u ngritur dhe për të luftuar duke përdorur raketa kundër civilëve,” tha ai, duke iu referuar sulmit të fundit rus ndaj një çerdheje në Kharkiv. “Kjo nuk tregon se ata (rusët) duan ta ndalojnë këtë luftë.”
“Më shumë presion mbi Rusinë dhe ata do të ulen dhe do të flasin, dhe mendoj se ky është plani.”
Zelensky i ka kërkuar Bashkimit Evropian që të zhbllokojë 140 miliardë euro nga asetet ruse të ngrira për t’ia vënë në dispozicion Ukrainës.
“Kushdo që vonon vendimin për zhbllokimin e plotë të aseteve të ngrira ruse jo vetëm që kufizon mbrojtjen tonë, por edhe ngadalëson progresin e vetë BE-së. Është koha për të vepruar tani dhe kërkoj mbështetjen tuaj të plotë,” deklaroi Zelensky, i cili po merr pjesë në samitin e Brukselit.
Më tej, Zelensky tha se qeveria e tij do të përdorë një pjesë të konsiderueshme të këtyre aseteve për të blerë armë nga Evropa.
