Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka deklaruar se për zgjedhjet e 9 nëntorit në 5 bashkitë që janë pa kryetar, asnjë kandidat opozitar nuk ka tërhequr ende formularët për t’u regjistruar.
Kandidatët e pavarur, të cilët mbështeten nga opozita, duhet të mbledhin firma mbështetëse nga zgjedhësit e zonës së tyre për t’u regjistruar. Sipas Celibashit, deri më tani nuk ka pasur asnjë kërkesë zyrtare pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga Komitete Nismëtare apo kandidatë të pavarur për këtë proces.
“Kandidati i pavarur duhet të marrë firma mbështetëse nga jo më pak se 1% e zgjedhësve të bashkisë përkatëse. Deri më tani nuk kemi asnjë kërkesë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve,” tha Celibashi.
Ai shtoi se për Tiranën, situata është më e komplikuar. Për shkak të pezullimit të procedurave për kryeqytetin pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, askush nuk mund të fillojë mbledhjen e mbi 7000 firmave të nevojshme, pasi KQZ nuk ka nxjerrë formularët zyrtarë.
Ndryshe nga kandidatët e pavarur, 5 kandidatët socialistë për kryebashkiakë nuk përballen me këtë sfidë, pasi mbështetja nga Partia Socialiste u lejon regjistrimin pa këtë procedurë.
Numri i firmave të nevojshme sipas bashkive është si më poshtë:
- Tiranë: 7 200
- Vlorë: 1 719
- Berat: 822
- Cërrik: 388
- Mat: 291
- Tepelenë: 127