22 parti në garë: Çfarë pritet nga zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë
Fushata zgjedhore në Kosovë për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit është në fazën finale. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) po finalizon përgatitjet për ditën e dielë, kur mbahet procesi i votimit. KQZ ka certifikuar listat votuese dhe partitë politike, si dhe ka përcaktuar qendrat e votimit brenda dhe jashtë Kosovës.
Për zgjedhjet e 28 dhjetorit garojnë 22 subjekte politike: 18 parti politike, 3 koalicione parazgjedhore, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur. Të drejtë vote kanë 2,076,290 votues.
Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 948 qendra votimi, me gjithsej 2,614 vendvotime. Do të ketë edhe qendra votimi jashtë Kosovës, ku votimi fizik do të organizohet në 16 ambasada dhe 13 konsullata në disa shtete të botës. Mbi 84,000 qytetarë jashtë Kosovës kanë aplikuar për votim, nga të cilët 76,000 aplikime janë miratuar për votim me postë dhe votim fizik.
Rreth 860 vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë janë akredituar për të monitoruar procesin zgjedhor. Gjithsej 1180 kandidatë për deputetë janë certifikuar nga KQZ-ja; rreth 67% janë burra dhe 33% gra.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka deklaruar se, ndonëse KQZ nuk ka një detyrim ligjor për të garantuar kuotën minimale gjinore prej 30% në përbërjen e Këshillave të Vendvotimeve, ka vendosur këtë standard si pjesë e politikave pozitive dhe masave afirmative, me qëllim të avancimit të përfaqësimit gjinor dhe forcimit të barazisë në administrimin zgjedhor.
Në këto zgjedhje garon edhe Lista Srpska, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar. KQZ, me insistimin e përfaqësuesve të Vetëvendosjes në këtë organ, tentoi të mos e certifikonte Listën Srpska. Megjithatë, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) urdhëroi KQZ-në ta certifikojë atë, duke e lejuar partinë të marrë pjesë zyrtarisht në zgjedhje. Ky tentim shkaktoi reagime të forta nga faktori ndërkombëtar:
- Ambasada e SHBA-së në Kosovë theksoi se përjashtimi i një partie që përfaqëson komunitetin serb do të dëmtonte standardet demokratike, përfshirjen e komuniteteve dhe stabilitetin rajonal, duke nënvizuar rëndësinë e një procesi zgjedhor gjithëpërfshirës.
- Bashkimi Evropian shprehu shqetësim serioz, duke vlerësuar se politizimi i procesit të certifikimit në KQZ është i dëmshëm për integritetin e zgjedhjeve. BE theksoi se pjesëmarrja e partive të komuniteteve joshumicë është thelbësore për zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe për përputhjen e Kosovës me standardet evropiane.
- OSBE-ja konsideroi se tentimi për ta penguar Listën Srpska të merrte pjesë në zgjedhje mund të perceptohej si shkelje e parimeve të zgjedhjeve gjithëpërfshirëse, duke rrezikuar kredibilitetin ndërkombëtar të procesit zgjedhor në Kosovë.
Analistët politikë theksojnë se zgjedhjet e 28 dhjetorit janë të jashtëzakonshme, të thirrura për të zgjidhur bllokimin institucional të krijuar për më shumë se nëntë muaj pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit, kur asnjë parti nuk arriti të formonte qeverinë.
Analisti Blerim Burjani shprehet se nuk është optimist për një “këndellje” të partive politike në formimin e koalicioneve pas zgjedhjeve. Ai thekson se pozicionet e subjekteve politike nuk kanë ndryshuar dhe se ka gjasë të mëdha për bllokadë të sërishme. Megjithatë, ai shton se duhet pritur rezultati i zgjedhjeve, pasi asgjë nuk është e garantuar apo negociuar mes subjekteve politike. Ai përmend se moszgjedhja eventuale e presidentes në fund të marsit sërish nënkupton zgjedhje të reja.
Pak para zgjedhjeve, ambasadorët e vendeve të QUINT-it i bënë thirrje vazhdimisht që zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit të zhvillohen në mënyrë të rregullt, të lirë dhe demokratike, duke theksuar rëndësinë e stabilitetit politik për të ardhmen evropiane të vendit.
Bashkimi Evropian, në një deklaratë të mëhershme, ka thënë se një proces zgjedhor i besueshëm është kusht thelbësor për rikthimin e plotë të bashkëpunimit me institucionet evropiane, zhbllokimin e ndihmave financiare, si dhe avancimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
