“`html
Qeveria zgjeron ndihmën juridike falas: më shumë kategori përfituese dhe mbulim më të gjerë të kostove
Qeveria shqiptare propozon një zgjerim më të theksuar të skemës së ndihmës juridike falas, që nga miratimi i ligjit në vitin 2017. Ky zgjerim përfshin shtimin e kategorive të qytetarëve që do të përfitojnë mbështetje ligjore dhe rritjen e shpenzimeve që do të mbulohen nga buxheti i shtetit.
Sipas projektligjit të përgatitur nga Ministria e Drejtësisë, ndihma juridike do të shtrihet për:
- Viktimat e terrorizmit, viktimat e krimit dhe familjarët e tyre.
- Personat që kërkojnë njohjen e statusit të aftësisë së kufizuar.
- Përfituesit e ndihmës ekonomike dhe pensionit social.
- Anëtarët e komuniteteve rome dhe egjiptiane për çështje të dokumentacionit civil.
- Sinjalizuesit që raportojnë shkelje të legjislacionit të Bashkimit Evropian.
Këto ndryshime synojnë të përmirësojnë aksesin në drejtësi për grupet më vulnerabël dhe të harmonizojnë legjislacionin shqiptar me direktivat e Bashkimit Evropian lidhur me mbrojtjen e viktimave dhe sinjalizuesve.
Projektligji parashikon gjithashtu zgjerimin e mbështetjes financiare nga shteti. Përveç tarifave gjyqësore, buxheti do të mbulojë edhe kosto të tjera që deri tani kanë qenë barrë për qytetarët, si tarifat kadastrale, noteriale, pagesat për ekspertët dhe shpenzime të domosdoshme gjatë ekzekutimit të vendimeve gjyqësore. Argumenti i qeverisë është se praktika ka treguar se shumë përfitues të ndihmës juridike nuk kanë mundur të realizojnë të drejtat e tyre për shkak të kostove shtesë në fazën e ekzekutimit.
Paketa përfshin gjithashtu lehtësimin e procedurave për marrjen e ndihmës juridike. Për shërbimin parësor, do të mjaftojë vetëdeklarimi dhe dokumenti i identitetit, ndërsa dokumentacioni shtesë do të kërkohet vetëm në rast dyshimi. Për viktimat e dhunës, të miturit dhe rastet emergjente, krijohet një procedurë e përshpejtuar për caktimin e menjëhershëm të avokatit.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është forcimi i rolit të Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas, e cila do të ketë të drejtën të ankimojë vendimet gjyqësore që konsiderohen në kundërshtim me ligjin ose abuzive. Kjo synon të balancojë zgjerimin e skemës me kontrollin mbi fondet publike.
Projektligji është pjesë e programit legjislativ të vitit 2026 dhe pritet të forcojë aksesin në drejtësi, duke rritur angazhimin financiar të shtetit për skemën e ndihmës juridike.
“`
