Zhytje Spektakolare në Antalya: Kampionia Turke Noton Pranë Breshkës së Detit, Mesazh për Mbrojtjen e Natyrës
Zhytësja turke Sahika Ercumen, e njohur për rekordin e saj botëror në zhytje të lirë, zhvilloi një zhytje të veçantë në ujërat e Demres, Antalia, duke u shoqëruar nga një breshkë deti. Ky aktivitet pati si synim përcjelljen e një mesazhi të fuqishëm për mbrojtjen e ekosistemit detar dhe për rreziqet që kanosen gjallesave nga ndotja dhe aktiviteti njerëzor.
Ercumen, e cila është gjithashtu ambasadore për nismën “Zero Mbetje” dhe avokate e UNDP Turqi për “Jetën nën Ujë”, u zhyt në zonën Çayagzi, ku pati rastin të afrohej pranë breshkave të detit. Ajo theksoi se këto kafshë përballen me rreziqe që nga momentet më të hershme të jetës.
Ndriçimi artificial dhe shezlongët në plazhe, sidomos në zonat e mbrojtura, mund të ndikojnë negativisht te breshkat gjatë periudhës së vendosjes së vezëve dhe t’i çorientojnë ato. Gjithashtu, trafiku detar, shpejtësia e varkave dhe mbetjet plastike përbëjnë një kërcënim serioz për mbijetesën e tyre.
Ercumen tregoi se gjatë zhytjeve të saj ka vërejtur shpeshherë shenja të shkaktuara nga helikat e varkave në trupat e breshkave. Ajo ngriti gjithashtu shqetësimin për rrezikun e plastikës, duke shpjeguar se një qese plastike mund të ngatërrohet me një kandil deti dhe të gëlltitet nga breshkat. Ky veprim mund të çojë në bllokim të zorrëve dhe, në rastet më të rënda, në vdekjen e tyre.
Duke folur për marrëdhënien mes njerëzve dhe breshkave të detit, Ercumen theksoi se këto kafshë nuk kanë prirje të sulmojnë njerëzit. Sipas saj, afrimi i tyre mund të lidhet me faktin se në disa raste ato ushqehen nga njerëzit. “Prandaj, nuk duhet të ndërhyjmë në asnjë mënyrë. Gjithashtu, nuk duhet t’i ushqejmë,” nënvizoi ajo.
Gjatë zhytjes, Ercumen u shoqërua nga një breshkë e gjelbër deti e quajtur “Mahmut”. Kjo breshkë është hasur rregullisht prej rreth pesë vitesh nga zhytësi Sercan Demirkaya. Për Ercumen, rikthimi pranë së njëjtës breshkë ishte një moment i veçantë. Ajo theksoi se respektimi i hapësirës së gjallesave detare krijon mundësi për një bashkëjetesë harmonike mes njerëzve dhe natyrës.
“Kjo botë është e të gjithëve. Të mbrojmë shtëpinë e përbashkët,” ishte mesazhi përmbyllës i kampionës turke.
