Zjarr masiv Hong Kong: 36 viktima, 279 të zhdukur

Pamje dramatike nga Hong Kongu: Zjarri përfshin një bllok banimi me 2 mijë apartamente

Të paktën 36 persona humbën jetën dhe 279 të tjerë rezultojnë të zhdukur në një zjarr masiv që shpërtheu këtë të mërkurë në një kompleks banimi në Hong Kong. 29 persona janë shtruar në spital, përfshirë 7 në gjendje kritike, sipas autoriteteve.

Re të dendura tymi të zi mbështjellin të paktën 5 nga 8 kullat e banimit në kompleksin Wang Fuk Court, të vendosur në distriktin Tai Po në veri të Hong Kongut. Dëgjoheshin kërcitje të shumta, ndoshta nga skelat e bambusë që digjeshin rreth ndërtesave, dhe flakë masive që ngriheshin lart në qiell.

Një zjarrfikës 37-vjeçar, me të cilin ishin humbur kontaktet për rreth 30 minuta, u gjet me djegie në fytyrë dhe u shpall i vdekur me të mbërritur në spital.

Autoritetet nuk kanë bërë komente mbi shkakun e mundshëm të zjarrit. Ata e kanë klasifikuar katastrofën si kategori 5, niveli më i lartë në shkallën e alarmit.

Presidenti kinez Xi Jinping bëri thirrje që të bëhen të gjitha përpjekjet për të kufizuar numrin e viktimave dhe humbjen e jetëve.

Oficerët e policisë në vendngjarje i thanë AFP-së se nuk mund të konfirmonin nëse kishte ende njerëz brenda, pasi zjarrfikësit nuk mund të hyjnë në ndërtesa.

Ndërsa bie nata, zjarrfikësit vazhdojnë të luftojnë me flakët, të cilat nuk tregonin shenja qetësimi. Besohet se flakët kanë prekur mbi 2 mijë apartamente, ndërsa në bllokun e banimit jetonin mbi 6400 persona.

Scroll to Top