Djegia e pallatit pranë spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë, Braçe kërkon hetim të plotë dhe përgjegjësi maksimale
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka vizituar vendin e ngjarjes ku ditën e djeshme ra zjarr në një pallat pranë spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë. Nëpërmjet një videoje të publikuar në Facebook, Braçe shprehu mirënjohjen e tij për të gjithë zjarrfikësit për punën e bërë, por gjithashtu kërkoi një hetim të plotë të ngjarjes dhe marrjen e përgjegjësisë nga autoritetet.
“Isha dhe pashë pallatin e djegur këtu në Njësinë nr.4 në Tiranë. Vajta për të falënderuar dhe për të shprehur mirënjohje komandant Jonuz Muratajt dhe të gjithë grupit të tij që ishin të parët që ndërhynë. Ishin ata djem që hipnin në shkallë dhe nxirrnin të moshuarit nga apartamentet. Mirënjohja për ta nuk mjafton. I kemi lënë për shumë gjëra, gjëra që nuk janë materiale, por gjëra që kanë të bëjnë me shpërblimin e punës, mundit, sakrificës dhe rrezikut. I kemi lënë edhe pa ushqim. Janë në shërbim 24 orë. Nuk mund t’i lëmë pa ushqim dhe ujë gjatë kohës së operacioneve. Gjëja e parë që duhet të bëhet është të rishikohet statusi ekonomik, financiar dhe social i çdo zjarrfikësi në Tiranë. Kjo është themelore, sepse jeta jonë është në duart e këtyre njerëzve.
Kam parë dhe dëgjuar aq shumë në atë ambient saqë dua të përforcoj kërkesën time për hetim gjithëpërfshirës të materialeve të ndërtimit dhe të gjithçkaje tjetër. Po e përsëris, unë mund të mos jem askushi, por kërkoj hetim të plotë dhe përgjegjësi maksimale ndaj gjithkujt”, ka shkruar Braçe.
