Digjet shtëpia në Elbasan, 4 anëtarë të familjes mbeten pa strehë
Një banesë është përfshirë nga flakët në fshatin Gurishtë–Shilbatër, Njësia Administrative Tregan, duke u shkrumbuar pothuajse plotësisht. Banesa i përket shtetasit Arif Paeshti.
Sipas informacioneve paraprake, zjarri dyshohet se është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike. Përhapja e shpejtë e flakëve është favorizuar edhe nga era e fortë.
Menjëherë pas njoftimit, drejt vendngjarjes janë nisur mjetet zjarrfikëse nga Bashkia Elbasan për të vënë situatën nën kontroll dhe për të shmangur rrezikun e përhapjes së zjarrit në banesat përreth.
Si pasojë e zjarrit, katër anëtarë të familjes kanë mbetur pa strehë, në një kohë kur temperaturat në zonë janë mjaft të ulëta dhe shënojnë vlera negative.
Fatmirësisht, deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme. Autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
