Zjarri në Krujë nën kontroll, shmanget katastrofa

Zjarri në Krujë vihet plotësisht nën kontroll, ministri Nufi: U parandalua një katastrofë e mundshme

Zjarri masiv që përfshiu Malin e Krujës është vënë plotësisht nën kontroll që prej orës 06:00 të mëngjesit të sotëm. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, i cili tha se situata në terren është tashmë e qetë, ndërsa vijon monitorimi për të parandaluar riaktivizimin e vatrës.

Një vatër e mbetur në pjesën e sipërme të malit po menaxhohet nga ajri, me mbështetjen e dy helikopterëve të Forcës Ajrore. Në operacionin për shuarjen e flakëve u angazhuan mbi 200 efektivë zjarrfikës dhe më shumë se 200 efektivë të Forcave të Armatosura.

Forcat kanë punuar pa ndërprerje gjatë gjithë natës, duke ndërhyrë në të gjithë perimetrin e zonës së prekur. Bilanci i dëmeve fatmirësisht mbetet i kufizuar. Nga zjarri është shkrumbuar vetëm një magazinë në pronësi të një biznesi, ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar apo banesa të djegura.

“Fatmirësisht një katastrofë e mundshme u parandalua falë angazhimit në terren të mbi 200 efektivëve zjarrfikës dhe mbi 200 efektivëve të Forcave të Armatosura,” deklaroi Nufi.

Pjesa më e madhe e forcave tashmë është rishpërndarë, ndërsa autoritetet vijojnë monitorimin e zonës për çdo riaktivizim të mundshëm të flakëve.

Zjarri në zonën e Krujës kishte marrë përmasa të mëdha gjatë orëve të natës dhe kërcënoi edhe zonat e banuara, duke detyruar autoritetet të ndërmerrnin masa për mbrojtjen dhe evakuimin e banorëve.

Scroll to Top