Zjarri në Krujë: Autorë i dyshuar arrestuar, evakuim banorësh

Zjarri në Krujë kërcënon banesat, Lamallari: Është arrestuar autori i dyshuar i zjarrvënies, kemi nisur me evakuimet

Zjarri që ka shpërthyer në Abazaj të Krujës dhe që kërcënon banesat, është shkaktuar qëllimisht. Policia e Shtetit ka arrestuar personin e dyshuar si autor të zjarrvënies.

Këtë lajm e ka bërë të ditur ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, i cili gjatë pasdites ka qenë në Krujë së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nushi, për të monitoruar situatën nga afër.

Në një reagim në rrjetet sociale, Lamallari deklaroi se personi i dyshuar për zjarrvënie është arrestuar dhe do të përballet me pasojat ligjore.

“Policia e Shtetit e ka arrestuar tashmë zjarrvënësin dhe ai do të përballet me pasojat e rënda ligjore për këtë vepër penale”, shkroi ministri.

Lamallari theksoi se forcat e Policisë janë të angazhuara në terren për garantimin e sigurisë së banorëve, ndërsa operacioni për shuarjen e zjarrit vijon në kushte të vështira për shkak të terrenit.

“Vijojmë të ndjekim nga afër betejën e vështirë me zjarrin në Krujë, që fatkeqësisht edhe kësaj radhe është shkaktuar nga dora e njeriut”, u shpreh ministri.

Pas kërkesës së pushtetit vendor, Policia e Shtetit ka marrë masa edhe për evakuimin e pjesshëm të banorëve që ndodhen pranë vatrës së zjarrit, si masë parandaluese për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së tyre.

“Çdo forcë është në terren dhe çdo mjet është në dispozicion deri në neutralizimin e plotë të rrezikut”, deklaroi Lamallari.

Operacioni për shuarjen e flakëve po zhvillohet me angazhimin e forcave tokësore dhe mbështetjen nga ajri. Strukturat zjarrfikëse dhe emergjencat civile po punojnë për izolimin e vatrës dhe parandalimin e përhapjes së zjarrit drejt zonave të banuara.

Scroll to Top