Zjarri në shtëpinë e pleqve në Bosnje: 11 viktima, 30 të lënduar

Bosnje/ Viktima shkojnë në 11, 30 të lënduar nga zjarri në shtëpinë e pleqve

Njëmbëdhjetë persona kanë humbur jetën dhe mbi 30 të tjerë janë lënduar si pasojë e një zjarri që shpërtheu në katin e shtatë të një shtëpie pleqsh në Tuzlla, mbrëmjen e së martës. Autoritetet në kantonin e Tuzllës në Bosnje njoftuan këtë të mërkurën se numri i viktimave është 11.

Sipas të dhënave më të fundit, të cilat ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht, 30 persona janë shtruar në spital në Qendrën Klinike Universitare në Tuzlla. Numri i përgjithshëm i personave të lënduar që kanë kërkuar ndihmë mjekësore është më i lartë.

Viktimat janë banorë të kësaj shtëpie dhe trupat e tyre do të dërgohen për identifikim dhe autopsi, sipas autoriteteve.

Shkaku i zjarrit nuk është ende i qartë, por autoritetet kanë nisur një hetim në vendin e ngjarjes. Drejtori i shtëpisë së pleqve, Mirsad Bakalloviq, ka dhënë dorëheqjen një ditë pas ngjarjes.

Në një njoftim zyrtar, disa orë pas zjarrit, shtëpia e pleqve konfirmoi numrin e të vdekurve dhe të lënduarve, duke shtuar se të lënduarit po marrin trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Tuzllës.

Mes të lënduarve raportohet se ka edhe oficerë policie, zjarrfikës, punonjës shëndetësorë dhe staf të shtëpisë së pleqve.

Një numër i madh zjarrfikësish morën pjesë në shuarjen e flakëve, ndërsa në vendngjarje shkuan edhe forca të policisë dhe shërbimet e emergjencës.

Kryeministri i kantonit të Tuzllës, Irfan Halilagiq, u shpreh për shërbimin publik të Bosnjës se po punohet për gjetjen e një zgjidhjeje për strehim të përkohshëm për banorët e shtëpisë.

Kryeministri i Federatës së Bosnjës, Nermin Nikshiq, njoftoi për televizionin boshnjak se Qeveria do të kontribuojë në rindërtimin e shtëpisë dhe në kujdesin për banorët e saj.

“Në periudhën e ardhshme, do të formojmë një ekip të Qeverisë së Bosnjës, i cili do të vizitojë institucionet nën juridiksionin e Bosnjës dhe do t’u kërkojë autoriteteve të kantoneve të bëjnë të njëjtën gjë për institucionet nën juridiksionin e tyre. Kjo do të bëhet me qëllim që të mos jepen informacione të përgjithshme. Sonte dëgjuam shumë informacione nga banorët. Sidoqoftë, duhet të presim për të parë se çfarë e shkaktoi saktësisht këtë tragjedi”, tha Nikshiq.

Scroll to Top