1700+ biznese shprehin interes për “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”

Koçiu: Mbi 1 700 biznese kanë shprehur interes për programin “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka bërë të ditur sot se mbi 1 700 biznese kanë shprehur interes për programin “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, ndërsa 800 prej tyre janë aktualisht në proces trajtimi.

Nëpërmjet një videomesazhi, zv.kryeministrja paraqiti ecurinë e këtij programi, i cili ofron mundësi financimi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, me qëllim zgjerimin e aktivitetit, blerjen e pajisjeve dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese.

“Vetëm në dhjetë ditët e para pas lançimit të platformës, nëpërmjet portalit e-Albania janë regjistruar 241 aplikime. Aktualisht, 222 raste po shqyrtohen nga bankat e nivelit të dytë dhe 20 biznese kanë marrë miratimin për financim me kredi.

Shumë biznese posedojnë idetë dhe vullnetin për të bërë hapin tjetër, por përballen me vështirësi në sigurimin e financimit. Përmes këtij programi duam t’u japim mundësinë të investojnë, të rriten dhe të krijojnë vende të reja pune”, theksoi Koçiu.

Gjithashtu, Koçiu njoftoi se për këtë program është vënë në dispozicion një linjë financimi prej 250 milionë eurosh, me mundësi zgjerimi deri në 1 miliard euro.

Scroll to Top