“`html
Ministri Malaj takohet me misionin e FMN për eficiencën e investimeve publike
Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, zhvilloi një takim me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të kryesuar nga z. Ian Hawkesworth, për të diskutuar eficiencën e investimeve publike.
Qëllimi kryesor i takimit ishte shqyrtimi i gjetjeve dhe vlerësimeve të FMN-së lidhur me efektivitetin e investimeve publike në vendin tonë. Këto vlerësime do të jenë pjesë e një raporti që FMN-ja pritet ta publikojë së shpejti.
Gjatë diskutimeve, u evidentua progresi dhe përmirësimet e ndjeshme që Shqipëria ka shënuar në vitet e fundit në fushën e planifikimit dhe menaxhimit të investimeve publike.
Investimet publike në vendin tonë kanë qenë rreth 6.5% të PBB-së gjatë viteve të fundit dhe parashikohet të ruhen në nivele të larta, ndërkohë që Shqipëria vijon procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Sipas planifikimeve afatmesme, investime të mëtejshme pritet të kryhen në sektorë kyç si transporti, energjia, digjitalizimi dhe rritja e qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike.
Ministri Malaj theksoi se rezultatet e vlerësimit të FMN-së konfirmojnë se Shqipëria po performon në përputhje me vendet e Bashkimit Evropian dhe ekonomitë e zhvilluara globalisht, sa i përket mënyrës së planifikimit dhe menaxhimit të investimeve publike.
Ky përmirësim reflektohet në disa aspekte thelbësore të menaxhimit të financave publike, duke përfshirë disiplinën buxhetore, metodat e alokimit të fondeve, si dhe rritjen e transparencës dhe konkurrueshmërisë në proceset e prokurimit publik.
„Paratë publike sot po investohen më mirë“, theksoi z. Malaj. Ai nënvizoi se ky konstatim vjen jo vetëm nga institucionet shqiptare, por është një progres i vërejtur edhe nga organizata ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Ky progres ka një rëndësi të veçantë pasi lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si fondet e buxhetit të shtetit përdoren për investime në sektorë jetikë për qytetarët, siç janë infrastruktura, shëndetësia dhe arsimi.
Ministri Malaj nënvizoi rëndësinë e përdorimit transparent dhe konkurrues të fondeve publike, sidomos për investime në rrugë, spitale apo shkolla. Ai theksoi se nuk mjafton vetëm parashikimi i fondeve në buxhet; thelbësore është përdorimi sa më eficient i tyre, në mënyrë që për çdo lek të shpenzuar të sigurohet vlerë e shtuar maksimale për qytetarët.
Vlerësimi i FMN-së konsiderohet si një tregues pozitiv i progresit të arritur, por, siç theksoi Ministri Malaj, ky është vetëm një hap përpara dhe jo fundi i përpjekjeve. Objektivi kryesor mbetet vijimi i reformave dhe forcimi i mëtejshëm i mekanizmave që garantojnë një planifikim dhe menaxhim sa më efikas të investimeve publike.
Në këtë kuadër, Ministria e Financave do të vazhdojë punën për të siguruar që çdo fond publik dhe çdo investim të gjenerojë zhvillim më të madh, shërbime më cilësore dhe më shumë vlerë për Shqipërinë.
“`
