28 vite nga vrasja e Azem Hajdarit: Detajet e krimit

28 vite nga vrasja e Azem Hajdarit! Dinamika: Si ndodhi krimi i rëndë jashtë selisë së Partisë Demokratike

Me 12 shtator 2026 shënohen plot 28 vite nga vrasja e Azem Hajdarit, figurë kyçe e protestave studentore që çuan në rrëzimin e regjimit komunist. Vrasja e tij mbrëmjen e 12 shtatorit 1998 konsiderohet një nga ngjarjet më të rënda në historinë e Shqipërisë, duke u cilësuar nga Partia Demokratike si një “vrasje politike”.

Rruga drejt tragjedisë:

Ditën e ngjarjes, Azem Hajdari ndodhej në Fier, ku mori pjesë në një miting të Partisë Demokratike. Pas kësaj, ai u ndal në Lushnjë dhe më pas, pasdite, mbërriti në Tiranë. Në mbrëmje, ai u kthye në zyrën e tij në selinë e Partisë Demokratike për takime të mëtejshme. Pas një dite të përkushtuar punës, Azem Hajdari bëri një pauzë për t’u takuar me bashkëshorten shtatzënë dhe dy fëmijët e tij, Rudinën dhe Kirjaldin.

Rreth orës 20:00, një automjet me targa të Vlorës afrohet pranë selisë, ku ndodheshin Fatmir Haklaj, Naim Çangu dhe Jaho Mulosmani. Sipas disa informacioneve, Azem Hajdari, së bashku me dy truprojat e tij, Zenel Neza dhe Besim Çerja, doli nga selia për t’u takuar me ta. Flitet se një telefonatë e ka nxitur të dalë jashtë, por identiteti i “informatorit” nuk është zbuluar kurrë.

Izet Haxhia është personi që akuzohet se nxori në pritë deputetin demokrat, akuza të cilat ai i ka mohuar gjatë procesit gjyqësor.

Momenti i shkëmbimit të zjarrit:

Azem Hajdari doli nga hyrja kryesore e selisë së PD-së dhe u drejtua për në anën e majtë, drejt automjetit, duke trokitur në xham. Në këtë moment, Fatmir Haklaj doli nga mjeti me një kallashnikov në duar. Pranë tij supozohet se u afruan edhe Jaho Mulosmani dhe Naim Çangu, të dy të armatosur.

Besim Çerja, truproja në të majtë të Azem Hajdarit, bllokoi armën e Fatmir Haklajt duke e kapur fort me të dyja duart. Në këtë moment, Jaho Salihi u afrua dhe pretendohet se qëlloi me pistoletë 9mm në kokë Besim Çerjen. Edhe pse i vdekur, Besim Çerja vazhdoi të mbante armën e Fatmir Haklajt të bllokuar.

Në dëshpërim e sipër, Fatmir Haklaj tërhoqi këmbëzën e kallashnikovit, duke shkaktuar të shtëna të pakontrolluara që plagosën pa dashje edhe Zenel Neza dhe mikun e tij, Naim Çangun. Pasi Fatmir Haklaj liroi armën nga duart e Besim Çerjes, së bashku me Jaho Mulosmanin, qëlluan mbi Azem Hajdarin.

Plumbi i parë e kapi Azem Hajdarin në dorë, të cilën ai duket se e ngriti instinktivisht për t’u mbrojtur, ndërsa plumbat e tjerë e morën në trup, duke i shkaktuar vdekjen.

Pasojat:

Pas krimit, Fatmir Haklaj pa se kishte plagosur edhe mikun e tij, Naim Çangun. Ai e tërhoqi zvarrë deri në makinë dhe e dërgoi në spital, ku ky i fundit ndërroi jetë disa orë më vonë.

Scroll to Top