Rama: Prapambetjet e pagave të gjyqtarëve 130.5 mln euro

Rama sqaron pagesat e gjyqtarëve: “Prapambetjet” arrijnë në 130.5 milionë euro

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me debatin për pagat e magjistratëve në vend. Në një postim në rrjetin social “X”, Rama bëri një sqarim në lidhje me vlerat e publikuara më parë, nën pretendimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve për pagat e tyre.

Rama theksoi se, përveç rritjes së pagave me 51%, magjistratët kërkojnë edhe pagesa të cilësuara si “të prapambetura”. Sipas tyre, kjo pagesë duhet të ishte kryer që në prill 2023, datë kur parashikohej të bëhej indeksimi i pagave.

Sipas llogarive të Kryeministrit, nëse kjo kërkesë do të zbatohej, shuma e detyrimeve të prapambetura do të arrinte në rreth 130.5 milionë euro. Ai shprehu dyshim në lidhje me mënyrën dhe bazën e kësaj kërkese.

Kreu i qeverisë shpjegoi më tej:

  • “Ndjesë për informimin e pjesshëm mbi vendimin e djeshëm të Gjykatës Administrative, e cila, duke siguruar për herë të parë në historinë botërore jo një vendim për të ndaluar një akt, por për të kryer një akt, nuk kërkon vetëm rritjen e menjëhershme të pagave me 51% për gjyqtarët, por edhe ‘të prapambeturat’ që nga prilli 2023, pasi sipas tyre pagat duhet t’u ishin rritur që atëherë aq sa duan t’i rrisin vetë tani.”
  • “Gjeni në tabelën bashkëngjitur sa do të merrte çdo gjykatës personalisht në dorë nesër si shumë të prapambetur, sikur ministri i financave të shkelte ligjin dhe të shkonte pas këtij vendimmarrjeje jashtëparlamentare.”
Scroll to Top